Projektvendim, Si do ndryshojnë Rregullat për Raportimin e Emetimeve Klimatike
Raportimi lidhur me ndryshimet klimatike, konkretisht të dhënat për emetimet dhe përthithjet e gazeve serrë, pritet të pësojë ndryshime si pjesë e përpjekjes për të përafruar sistemin kombëtar me rregulloret e Bashkimit Europian.
Një projektvendim i Ministrisë së Mjedisit, i nxjerrë për konsultim, parashtron ndryshime në Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 889/2022. Ky vendim aktualisht rregullon “monitorimin, raportimin e shkarkimeve të gazeve me efekt serrë dhe të informacioneve të tjera, që lidhen me ndryshimet klimatike në nivel kombëtar”.
Në relacionin shoqërues theksohet se, “në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, legjislacioni shqiptar duhet të thellojë përafrimin me atë të BE-së në fushën e ndryshimeve klimatike. Akti aktual është përafruar pjesërisht me Rregulloren 2018/1999 të BE-së, “mbi qeverisjen e unionit të energjisë dhe veprimin për klimën”.
Projektvendimi kërkon që Ministria përgjegjëse për mjedisin dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit të përmirësojnë “në mënyrë të vazhdueshme sistemin kombëtar të inventarit të gazeve serrë”. Ky sistem duhet të garantojë “raportim në kohë, transparencë, saktësi, qëndrueshmëri, krahasueshmëri dhe plotësinë e inventarit kombëtar”.
Ndryshimet shtojnë në rregullore përkufizimet për “korrigjime teknike”, “sigurimi i cilësisë (QA)” dhe “Kontrolli i cilësisë (QC)”.
Të dhënat paraprake të inventarit të gazeve me efekt serrë do të përgatiten çdo vit, duke filluar nga 15 janari 2025, dhe do t’i raportohen Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
Relacioni sqaron se VKM 889/2022 tashmë përcakton detyrimet për “grumbullimin, përpunimin, monitorimin, raportimin, verifikimin dhe arkivimin” e të dhënave të kërkuara.
Projektvendimi parashikon një rishikim të plotë të inventarit kombëtar në vitet 2027 dhe 2032. Ky rishikim do të përfshijë kontrolle për “transparencën, saktësinë, qëndrueshmërinë, krahasueshmërinë dhe plotësinë” e informacionit të paraqitur.
Në tekst përfshihet edhe sektori LULUCF, që lidhet me përdorimin e tokës, ndryshimin e përdorimit të tokës dhe pylltarinë.
Dokumenti parashikon gjithashtu krijimin dhe funksionimin e “një regjistri elektronik kombëtar, si pjesë e Sistemit të Integruar Mjedisor”. Ky regjistër duhet të sigurojë “saktësinë, integritetin dhe gjurmueshmërinë e të dhënave të regjistruara”.
Në relacion theksohet se hartimi i këtij akti vjen si nevojë për “unifikimin e procedurave të raportimit të progresit” për energjinë dhe klimën.
Projektvendimi ngarkon për zbatim Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Financave, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM), Agjencinë Kombëtare të Pyjeve, Institutin e Statistikave (INSTAT) dhe institucione të tjera publike.
