Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Silvinjo, së bashku me Elseid Hysajn, mbajtën një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër Serbisë, e cila zhvillohet për kualifikuese të Botërorit 2026.
Silvinjo theksoi rëndësinë e çdo ndeshjeje, duke e cilësuar atë ndaj Serbisë si “emblematike dhe të bukur”. Ai konfirmoi se skuadra ka punuar intensivisht për sulmin dhe se të gjithë lojtarët janë të gatshëm.
“Nuk më shqetëson mungesa e golit, është pika e fundit e futbollit,” tha ai, duke shtuar se ka besim te aftësia e lojtarëve për të realizuar atë që është përgatitur.
Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth strategjisë së kundërshtarit, Silvinjo u shpreh: “Edhe ne e dimë për ta si rreshtohen. Luajnë me 3 mbrojtës në qendër, 2 mesfushorë, një anësor dhe dy sulmues.”
Për sa i përket shanseve për fitore, ai theksoi se “Futbolli është i paparashikueshëm” dhe se nuk mund të bëhen baste. Ai rikujtoi eksperiencat e tij si lojtar dhe trajner, duke nënvizuar se “nuk kam parë kurrë një ndeshje që fitohet pa e nisur”.
“Kjo është skuadër e fortë me vlerë të rëndësishme individuale në kampionate të rëndësishme,” shtoi ai, duke shtuar se “çdo gjë mund të ndodhë në 90 minuta”.
Silvinjo sqaroi se nuk i intereson momenti individual i lojtarit, por gatishmëria e tij për të dhënë kontributin për Kombëtaren. Ai gjithashtu theksoi se Kombëtarja nuk disponon 50 lojtarë për t’u zgjedhur vazhdimisht.
Ai përshkroi sfidën si një moment të bukur dhe një motivim ekstra për ekipin. “Nesër është shumë e rëndësishme, kush fiton siguron një përqindje të rëndësishme për të shkuar para,” u shpreh ai.
Duke folur për frikën e shkarkimit, Silvinjo deklaroi se e ardhmja e tij i përket atij dhe se është i lumtur në Shqipëri. Ai vlerësoi kundërshtarin serb si një skuadër shumë të fortë me lojtarë individualisht të fortë, duke përmendur cilësinë dhe agresivitetin e tyre.