Raketat dhe dronët e Ukrainës dështojnë kundër mbrojtjes ruse

The Economist: Pse raketat dhe dronët ukrainas dështojnë kundër mbrojtjes ajrore ruse

Një përqindje e vogël e raketave dhe dronëve ukrainas arrijnë të depërtojnë sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, zbulon revista britanike The Economist në një analizë të fundit mbi luftën në Ukrainë.

Sipas raportit, shkalla e suksesit të sulmeve ajrore ukrainase varion nga 2% deri në 35%, në varësi të llojit të armës së përdorur. Armët që fluturojnë me shpejtësi mbi 350 kilometra në orë rezultojnë të kenë shanset më të larta për të kaluar mbrojtjen ruse.

Përballë këtyre sfidave, Ukraina po punon për zhvillimin e raketave të saj balistike, të cilat do të ishin më të vështira për t’u interceptuar. Megjithatë, sipas The Economist, edhe ekspertët e industrisë së mbrojtjes në Ukrainë shprehen skeptikë se një kapacitet i tillë mund të ndërtohet në afat të shkurtër.

Revista përmend edhe startup-in ukrainas Fire Point, i cili pretendon se po zhvillon një raketë të re interceptuese për mbrojtjen ajrore. Megjithatë, burime të sektorit shprehen se pak njerëz besojnë se projekti do të materializohet së shpejti.

“Raketat nuk janë dronë”

Analiza thekson se prodhimi i raketave moderne është shumë më kompleks sesa ai i dronëve, pasi kërkon motorë të avancuar, sisteme udhëzimi, elektronikë të specializuar dhe investime të mëdha për prodhim në seri.

Ish-zëvendëskomandanti i Marinës Ukrainase, Andriy Ryzhenko, deklaroi se Ukraina zotëron traditë në teknologjinë raketore, por zhvillimi i saj ka mbetur pas për dekada. “Nuk mund të prodhosh lopata sot dhe raketë nesër. Ukraina ka një shkollë raketash, por teknologjia jonë ka qenë e ngrirë për 40 vjet”, tha ai.

Ndërkohë, pavarësisht deklaratave të presidentit Volodymyr Zelensky se Ukraina është “shumë afër” nisjes së një fushate me raketa balistike kundër Rusisë, përfaqësues të industrisë kërkojnë kujdes në pritshmëri. Një burim i cituar nga revista tha se, në skenarin më optimist, Ukraina mund të arrijë të krijojë një raketë të ndërtuar kryesisht nga komponentë perëndimorë.

Në të njëjtën kohë, The Economist paralajmëron se Rusia mund të intensifikojë sulmet ajrore në muajt e ardhshëm. Sipas raportit, nga tetori, një rol qendror në këto sulme mund të luajnë dronët e rinj Geranium, të pajisur me motorë kinezë, të cilët pritet të jenë dukshëm më të vështirë për t’u neutralizuar nga sistemet ekzistuese të mbrojtjes ajrore ukrainase.

Scroll to Top