Titulli: Çmimi i naftës në Shqipëri 10.5% më i lartë se mesatarja europiane
Konsumatorët shqiptarë paguan karburantin 10.5% më shtrenjtë sesa mesatarja e Bashkimit Europian në vitin 2025. Të dhënat janë bërë publike nga Eurostat, i cili mat indeksin e nivelit të çmimeve sipas barazisë së fuqisë blerëse (Purchasing Power Parities – PPP).
Ky tregues krahason koston e njëjtes shportë mallrash dhe shërbimesh në vende të ndryshme, duke eliminuar efektin e kursit të këmbimit dhe diferencat në nivelin e të ardhurave.
Për Shqipërinë, indeksi për grupin “Karburante dhe lubrifikantë për mjetet private të transportit” ishte 110.5%. Kjo do të thotë se për të blerë të njëjtën sasi karburanti, për të cilën një qytetar në BE do të shpenzonte 100 euro, një përdorues shqiptar automjeti do të duhej të paguante 110.5 euro.
Në terminologjinë e Eurostat, kjo kategori përfshin: benzinën, naftën, gazin për automjete (LPG/CNG), vajrat lubrifikues dhe produkte të ngjashme për mirëmbajtjen e automjeteve private.
Edhe pse Shqipëria është ndër vendet më të varfra të Europës, me të ardhura për frymë (43% e mesatares së BE) dhe konsum individual sipas fuqisë blerëse (48% e BE) duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën, pronarët e makinave detyrohen të blejnë karburantin me çmime më të larta se në shumë shtete më të zhvilluara.
Shqipëria renditet e pesta, sipas Eurostat, për sa i përket çmimeve të larta të karburanteve sipas fuqisë blerëse, pas Islandës (128.4%), Danimarkës (114.7%), Holandës (114) dhe Zvicrës (113.7%).
Nafta është shumë më e shtrenjtë edhe në krahasim me rajonin. Pas Shqipërisë renditen Serbia (96.1%) dhe Mali i Zi (85.6%). Bosnjë-Hercegovina është nga fundi i listës (76.3%), së bashku me Maqedoninë e Veriut (72%). Ky i fundit është vendi i dytë më i lirë për karburantet në Europë, pas Turqisë (67.5%). Mungojnë të dhënat për Kosovën.
Në krahasimin relativ me BE-në, çmimet në Shqipëri janë rritur vazhdimisht. Ato arritën mesataren e BE-së në vitet 2022-2023, u ngjitën në 106.6% në vitin 2024, për të thelluar më tej diferencën në vitin 2025.
Në pjesën e parë të vitit 2026, diferenca mes çmimeve, sidomos me rajonin, u thellua më shumë, pasi vendet e tjera morën masa duke ulur barrën fiskale mbi karburantet, ndërsa qeveria shqiptare zbatoi një ulje të akcizës vetëm 5 ditë më parë.
Arsyeja kryesore e diferencës së çmimeve lidhet me nivelin e lartë të taksave që paguhen për një litër karburant. Në Shqipëri, taksat përbëjnë rreth gjysmën e çmimit, ndërsa në vendet e tjera të rajonit, rreth 30-35%.
