Rama: Në korrik prezantojmë “Rilindja Urbane 2.0”, hap i madh drejt Shqipërisë së 2030-ës në BE
Në podcast-in e tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama prezantoi një nismë të re që synon kalimin e rrjeteve të komunikimit elektronik dhe internetit në infrastrukturë nëntokësore. Ky projekt ka për qëllim t’i japë fund epokës së kabllove dhe telave ajrore që dëmtojnë pamjen e rrugëve, duke rritur kështu cilësinë e hapësirës publike në qytete.
Gjithashtu, kreu i qeverisë njoftoi se në muajin korrik do të prezantohet programi i ri kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, i cili është hartuar në dialog me pushtetin vendor. Ky program do të trajtojë ndërhyrje në rrjetet e ujësjellës-kanalizimeve, do të mbështesë transportin publik të gjelbër, do të krijojë kapacitete të reja parkimesh dhe do të nxisë rigjallërimin e zonave industriale që kanë mbetur në harresë.
Përveç investimeve, projekti do të inkurajojë zhvillimin e muzeve lokale, start-up-eve dhe do të forcojë bashkëpunimin me sipërmarrjen për zhvillim ekonomik. Sipas Ramës, ky program do të nxisë një marrëdhënie aktive të pushtetit vendor me komunitetin përmes transparencës dhe informimit.
Në këtë kuptim, “Rilindja Urbane 2.0” vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt vizionit “Shqipëria 2030” në Bashkimin Europian.
