“`html
Shqiptarët udhëtojnë më shumë jashtë vendit, me një rritje prej 14.3% në vitin 2025; Italia dhe Greqia vijojnë të jenë destinacionet kryesore.
Gjatë vitit 2025, shqiptarët kanë udhëtuar më shumë jashtë vendit, ndërsa Italia dhe Greqia vazhdojnë të jenë destinacionet më të preferuara. Të dhënat e publikuara nga INSTAT, në anketën për “Pushimet dhe Udhëtimet 2025”, tregojnë se banorët e Shqipërisë të moshës 15 vjeç e lart realizuan rreth 4.5 milionë udhëtime gjatë vitit, si për qëllime personale, ashtu edhe për biznes. Prej tyre, 97.6% ishin udhëtime personale, ndërsa vetëm 2.4% lidheshin me aktivitetin e biznesit.
Të dhënat konfirmojnë se udhëtimet jashtë vendit vazhduan të zgjerohen me ritme dyshifrore. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre u rrit me 14.3%, duke u mbështetur edhe nga zgjerimi i linjave ajrore me kosto të ulët (low-cost).
Italia mbetet destinacioni më i frekuentuar, duke zënë 11.3% të udhëtimeve, e ndjekur nga Greqia me 10.4% dhe Gjermania me 4%. Kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me destinacionet ku shqiptarët kanë emigruar ndër vite dhe ku prezenca e tyre në raport me totalin mbetet e lartë. Një pjesë e konsiderueshme e udhëtimeve u orientuan edhe drejt vendeve të tjera, si Turqia, Spanja dhe Mali i Zi.
Ndërkohë, ndryshe nga udhëtimet brenda vendit, ku arsyeja kryesore është pushimi dhe koha e lirë, për udhëtimet jashtë Shqipërisë, motivi dominues mbetet vizita te të afërmit dhe miqtë, duke përbërë 52% të totalit të tyre. Kjo konfirmon peshën që diaspora shqiptare vijon të ketë në lëvizjet ndërkufitare.
Brenda vendit, u realizuan 4.4 milionë udhëtime personale, ku “pushimet dhe koha e lirë” përbënin qëllimin kryesor me 52.8% të totalit. Operatorët turistikë nënvizojnë se sezonaliteti mbetet i theksuar. Muaji Gusht përqendroi pjesën më të madhe të udhëtimeve me 12.6%, i ndjekur nga Qershori me 10.9%, Dhjetori me 10.2% dhe Korriku me 9.8%, duke reflektuar kulmin e sezonit veror dhe lëvizjet gjatë festave të fundvitit.
Rritja e udhëtimeve është shoqëruar edhe me ndryshime në mënyrën e akomodimit. Gjatë vitit 2025, përdorimi i apartamenteve me qira afatshkurtër, përfshirë platforma si Airbnb, u rrit me 5.9%, ndërsa qëndrimet në hotele u zgjeruan me 5.6% krahasuar me një vit më parë.
Transporti ajror ishte segmenti me rritjen më të fortë, duke shënuar një volum 14% më të lartë. Kjo rritje është në linjë me zgjerimin e ofertës së fluturimeve dhe rritjen e numrit të pasagjerëve në aeroportin e Tiranës.
Mesatarisht, shqiptarët qëndruan 5.3 netë për çdo udhëtim, ndërsa numri më i lartë i netëve të kaluara u regjistrua në muajt Korrik dhe Gusht. Për udhëtimet brenda vendit, Tirana mbetet destinacioni më i frekuentuar me 13.7% të totalit, e ndjekur nga Vlora me 12.2%, ndërsa Korça dhe Durrësi ndajnë secili nga 7.3%.
“`
