Mbetje Urbane Shqipëri 2025: Rritje Rekord, Riciklim Minimal

Mbetjet Urbane: Sasi Rekord e Prodhuar në 2025, 77% në Landfill, Riciklimi në Niveli Minimal

Shqipëria prodhoi një sasi rekord prej 900.8 mijë tonësh mbetje gjatë vitit 2025, ndërkohë që niveli i riciklimit mbeti praktikisht i pandryshuar, duke detyruar vendin të mbështetet kryesisht te depozitimi në landfill. Këto të dhëna dalin nga statistikat e publikuara nga INSTAT mbi mbetjet e ngurta urbane për vitin 2025.

Sasia e mbetjeve të menaxhuara shënoi një rritje prej 4.5% krahasuar me vitin 2024, duke reflektuar rritjen e konsumit dhe të mbetjeve të gjeneruara nga familjet dhe aktivitetet ekonomike, ku turizmi është një nga sektorët kryesorë. Çdo banor në Shqipëri prodhoi mesatarisht 383 kilogramë mbetje gjatë vitit, që është 23 kilogramë më shumë se një vit më parë, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar në të paktën tre vitet e fundit.

Megjithatë, rritja e mbetjeve nuk është shoqëruar me përmirësim të procesit të riciklimit. Vetëm 18% e mbetjeve u ricikluan gjatë vitit 2025, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin paraardhës. Nga ana tjetër, 77% e tyre u depozituan në landfill, duke dëshmuar se ekonomia qarkulluese mbetet ende e pazhvilluar, pavarësisht disa nismave individuale.

Të dhënat tregojnë se sistemi i menaxhimit të mbetjeve vazhdon të jetë i mbështetur kryesisht te depozitimi, duke mos arritur objektivat për rritjen e riciklimit dhe reduktimin e sasisë së mbetjeve që përfundojnë në landfill.

Gjatë tre viteve të fundit, volumi i mbetjeve është rritur me rreth 57 mijë tonë, nga 844 mijë tonë në vitin 2023 në mbi 900 mijë tonë në vitin 2025. Në të njëjtën periudhë, mbetjet për banor janë rritur nga 351 në 383 kilogramë në vit.

Ndërkohë, shërbimi i grumbullimit të mbetjeve mbulon 90.3% të popullsisë, duke lënë rreth një në dhjetë banorë jashtë sistemit formal të menaxhimit të mbetjeve. INSTAT thekson gjithashtu se përbërja e mbetjeve urbane ka mbetur pothuajse e pandryshuar ndër vite.

Scroll to Top