“`html
Rama: Garancia sovrane për bizneset 50 milionë euro, dyfishohen financimet për të rinjtë me startup-e
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria ka rritur në 50 milionë euro garancinë sovrane në dispozicion të sipërmarrjeve që synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre, duke theksuar se kjo është arritur falë rritjes ekonomike.
Gjatë një takimi me pensionistë, Kryeministri sqaroi se garancia nuk është për bizneset e mëdha, por për bizneset e vogla dhe të mesme.
“Kushdo që ka një ndërmarrje dhe ka nevojë për mbështetje financiare për ta dyfishuar atë, do të përfitojë nga programi i garancisë sovrane dhe nga linja e re e kredisë që ka vënë në dispozicion Banka e Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Ai siguroi se qeveria do të vazhdojë të rrisë mbështetjen, në përputhje me kërkesën e bizneseve.
“Çdo sipërmarrës që ka hapur një biznes të vogël apo të mesëm, dhe që ka idetë dhe vullnetin për ta rritur e dyfishuar atë, por i mungon baza financiare, nuk do të jetë vetëm. Ne do t’i ofrojmë mbështetje, garancinë dhe një kredi me një interes krejtësisht të ndryshëm nga ai komercial i bankave”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se është dyfishuar financimi për të rinjtë që merren me teknologji dhe krijojnë startup-e.
“Falë mbështetjes së dhënë ndër vite, kemi parë një rritje të madhe të aplikimeve. Kemi filluar me rreth 40 aplikime dhe tani kemi arritur mbi 1.000. Duke qenë se fondi fillestar ishte i pamjaftueshëm për të financuar të gjitha projektet me potencial, kemi vendosur ta dyfishojmë atë fond”, shtoi ai.
Sipas Kryeministrit, zgjerimi i mundësive bëhet duke shtuar bazën financiare në dispozicion të shtetit, e cila, nga ana tjetër, rritet duke zgjeruar vëllimin e ekonomisë.
“E kemi nisur këtë proces me një prodhim të përgjithshëm të ekonomisë shqiptare nën 10 miliardë euro. Sot jemi mbi 27 miliardë euro dhe synojmë ta çojmë në 35 miliardë brenda vitit 2030. Për ta arritur këtë objektiv, duhet të rrisim ekonominë përmes investimeve, si të brendshme, ashtu edhe të huaja”, tha Rama.
Kryeministri u ndal gjithashtu te nisma për vendosjen e autobusëve elektrikë në transportin publik, fillimisht në zonat me flukse turistike. Ai përmendi edhe një fond tjetër financiar të alokuar për vazhdimin e punës në mbrojtjen nga përmbytjet dhe zjarret, si dhe përballimin e emergjencave të tjera.
“`