Tender 14.5M€ Rruga Tiranë-Ndroq-Plepa Loti 3: Vështirësi Qarkullimi

Autoriteti Rrugor Shqiptar shpall tenderin prej 14.5 milionë eurosh për Lotin 3 të rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka nisur procedurën e prokurimit për projektin “Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, Loti 3”. Projekti ka një fond limit prej 1,36 miliardë lekësh pa TVSH, ose rreth 14.5 milionë euro pa TVSH.

Kjo procedurë përfaqëson fazën e tretë të investimit, pasi dy lotet e para të kësaj rruge janë prokuruar më parë dhe aktualisht janë në fazë zbatimi. Projekti bën pjesë në rikonstruksionin e aksit Tiranë – Ndroq – Plepa, një rrugë kombëtare e ndërtuar disa dekada më parë, e cila tradicionalisht ka shërbyer si një lidhje kryesore mes Tiranës dhe jugut të vendit.

Sipas dokumentacionit teknik të ARRSH-së, infrastruktura ekzistuese, përfshirë urat dhe veprat e artit, reflekton standardet dhe teknologjinë e kohës kur u ndërtua. Dokumentet theksojnë se rruga ka një gjerësi rreth 7 metra dhe paraqet dëmtime të konsiderueshme në shtresat asfaltike, deformime të trupit të rrugës, kthesa me rreze të vogla në disa segmente, si dhe zona problematike me rrëshqitje dhe kalime në zona të banuara.

Gjithashtu, në disa ura janë kryer ndërhyrje të pjesshme ndër vite, ndërsa mbivendosja e shtresave asfaltike pa skarifikim ka sjellë ndryshime në nivelet e karrexhatës.

ARRSH vlerëson se degradimi i aksit ka ndikuar në uljen e trafikut që e përdor atë, duke bërë që një pjesë e lëvizjeve të drejtohet drejt autostradës Tiranë–Durrës. Aktualisht, edhe kjo autostradë po i nënshtrohet punimeve për zgjerimin e kapacitetit.

Fakti që dy itinerare të rëndësishme që lidhin Tiranën me Durrësin dhe me jugun e vendit janë njëkohësisht në proces punimesh mund të krijojë vështirësi të përkohshme në qarkullimin e mjeteve, sidomos gjatë periudhave me fluks të shtuar trafiku.

Scroll to Top