Inflacioni në Shqipëri arrin 3.2%: Ushqimet dhe qiratë fajtorë

Ushqimet dhe qiratë shtyjnë inflacionin në 3.2% në muajin qershor

Pas disa muajsh stabilizimi, inflacioni ka shënuar një përshpejtim në muajin qershor, duke arritur në 3.2%. Ky nivel tejkalon objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë dhe paraqet normën më të lartë të regjistruar në muajt e fundit, duke sinjalizuar se presioni mbi koston e jetesës mbetet i pranishëm.

Një inflacion prej 3.2% do të thotë se një familje që shpenzonte mesatarisht 50 mijë lekë në muaj për mallra dhe shërbime një vit më parë, sot për të njëjtën “shportë” blerjesh i duhen rreth 1,600 lekë më shumë. Ky përllogaritje nuk nënkupton rritjen e çmimit të çdo produkti individual me 3.2%, por një rritje mesatare të nivelit të përgjithshëm të çmimeve në ekonomi krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Faktor kryesor që ka ndikuar në rritjen e inflacionit është shtrenjtimi i produkteve të përditshme që konsumojnë familjet shqiptare, të cilat kontribuan me 1.02% në totalin e treguesit. Pas tyre renditen kostot e banimit, duke përfshirë qiratë, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe karburantet, të cilat shtuan 0.96 pikë përqindje, duke treguar se kostot e banimit vazhdojnë të jenë një barrë për buxhetet familjare.

Ndikim kanë dhënë gjithashtu transporti, restorantet dhe shërbimet e akomodimit, mobiljet dhe pajisjet e shtëpisë, pijet alkoolike dhe duhani, si dhe argëtimi, sporti dhe kultura. Ndërkohë, i vetmi grup produktesh që ka shënuar ulje çmimesh është ai i veshjeve dhe këpucëve.

Rritja e inflacionit mbi objektivin vjen në një periudhë kur Banka e Shqipërisë vazhdon të theksojë se ekonomia mbetet e ekspozuar ndaj zhvillimeve të jashtme. Institucioni qendror ka paralajmëruar se pasiguritë në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike mund të krijojnë presione të reja mbi çmimet. Për këtë arsye, trajektorja e inflacionit do të mbetet një nga treguesit kryesorë që do të orientojë vendimmarrjen e bankës qendrore.

Scroll to Top