Ambasadori i BE largohet, por do të kthehet në Shqipëri

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, lamtumirë Shqipërisë pas tre vitesh: “Do të rikthehem pa pasur më nevojë të tregoj pasaportën”

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka përfunduar misionin e tij tre-vjeçar në Shqipëri, duke i dhënë lamtumirën vendit me një mesazh të veçantë për shqiptarët.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonzato falenderoi shqiptarët për mikpritjen dhe kujtimet e krijuara gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri. Ai u shpreh se do të rikthehet sërish, duke shpresuar që në të ardhmen të mos ketë më nevojë të tregojë pasaportën për të hyrë në vend.

“Tre vite në Shqipëri më kanë lënë kujtime të paharrueshme”, shprehet Gonzato, duke theksuar se gjatë mandatit të tij ka njohur nga afër jo vetëm sfidat me të cilat përballet vendi, por edhe energjinë dhe vendosmërinë e shqiptarëve.

Sipas ambasadorit të BE-së, pikërisht kjo energji e bën atë optimist për të ardhmen e Shqipërisë dhe rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Gonzato e mbyll mesazhin e tij me bindjen se do të rikthehet në Shqipëri, këtë herë me shpresën që vendi të jetë edhe më pranë integrimit evropian.

Misioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka ndarë edhe një galeri me foto nga vizitat e Gonzatos në pjesë të ndryshme të Shqipërisë.

“Duket sikur ishte dje kur mbërrita në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe nisa aventurën time në Shqipëri. Tre vite më pas, zemra dhe shpirti im janë mbushur me kujtimet e takimeve me njerëz të jashtëzakonshëm. Kam udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje, duke takuar gjatë rrugës njerëz të zgjuar, ambiciozë dhe punëtorë. Kam parë vështirësitë dhe sfidat, por kam parë gjithashtu energjinë dhe vendosmërinë që më bëjnë të besoj në të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Së bashku me kolegët e mi fantastikë, kemi punuar fort për t’iu përgjigjur dëshirës së Shqipërisë “për të qenë si pjesa tjetër e Evropës”, për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, në një vend me institucione të forta dhe të pavarura, ku të drejtat e më të cenueshmëve mbrohen e respektohen, ku askush nuk lihet pas dhe ku diversiteti mirëpritet dhe vlerësohet.

Të shtunën, kur u largova nga porti i Durrësit, i thashë vetes: “Do të kthehem.” Dhe një ditë, nuk do të ketë më nevojë të tregoj pasaportën për të ardhur në Shqipëri. Deri atëherë — mirupafshim, Shqipëri”, shkruan Silvio Gonzato.

Scroll to Top