Shqipëria, më e shtrenjtë për komunikim se BE

Jo vetëm ushqimet; shqiptarët paguajnë 7.6% më shumë për komunikimin se mesatarja e BE-së

Krahas ushqimeve, pajisjeve elektroshtëpiake, naftës dhe të tjerave, konsumatorët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se Bashkimi Europian edhe për shërbimet e komunikimit dhe informacionit. Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga revista Monitor, indeksi i çmimeve sipas fuqisë blerëse për informacionin dhe komunikimin në Shqipëri për vitin 2025 ishte 107.6% e mesatares së Bashkimit Europian.

Ky tregues nënkupton se për të komunikuar përmes celularit, linjës fikse, apo për të përdorur internetin, konsumatorët vendas paguajnë 7.6% më shumë sesa një qytetar europian, kur kjo matet sipas barazisë së fuqisë blerëse. Çmimet e komunikimit janë shtrenjtuar vazhdimisht në vitet e fundit, teksa tregu është kthyer në një duopol me vetëm dy kompani kryesore.

Në vitin 2022, çmimet ishin 9% më të lira se mesatarja e BE-së. Në vitin 2023, për herë të parë u tejkalua lehtë mesatarja e BE-së (100.5%), duke vazhduar trendin e shtrenjtimit edhe në vitin 2024 (103.1%), për të arritur kulmin në vitin 2025.

Në përgjithësi, rajoni i Ballkanit Perëndimor rezulton i shtrenjtë në komunikim, por Shqipëria mban rekordin. Maqedonia e Veriut është vendi më i lirë (84.9%), e vetmja në mesataren e BE-së. Më pas renditen Bosnjë-Hercegovina (99.9%), Serbia (102.7%) dhe Mali i Zi (106.1%). Nuk disponohen të dhëna për Kosovën.

Vendet më të shtrenjta në Europë për komunikim janë Zvicra (167.0%), Norvegjia (164.1%), Islanda (151.6%), Belgjika (146.3%) dhe Suedia (137.5%). Nga ana tjetër, më të lirat janë Maqedonia e Veriut (84.9%), Turqia (70.2%), Polonia (67.6%) dhe Rumania (56.1%).

Interneti na kushton më shumë

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në raportin e fundit vjetor për vitin 2025, ka kryer vlerësimin e përballueshmërisë së shërbimeve të komunikimeve elektronike në Shqipëri. Ky vlerësim është bërë në përputhje me metodologjinë e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), e cila mat koston e shportave standarde të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) në raport me të ardhurat kombëtare bruto për frymë (GNI/banorë). Pragu prej 2% të GNI/banorë shërben si kufi referues për përcaktimin e përballueshmërisë së shërbimeve bazë.

Të dhënat tregojnë se interneti është shërbimi më i shtrenjtë, i cili po gjen gjithnjë e më shumë përdorim vitet e fundit. Shqipëria ka koston më të lartë të internetit nga rrjetet celulare, në raport me të ardhurat, në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave nga ITU, kostoja mesatare e shportës mujore të internetit me brez të gjerë për vitin 2025 në Shqipëri ishte sa 1.69% e të ardhurave mujore bruto (GNI). Me këtë nivel, Shqipëria renditet ndjeshëm më lart se vendet e tjera të rajonit dhe mesatarja botërore.

Pas Shqipërisë, renditet Maqedonia e Veriut, me 1.31% të GNI, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina, me 1.17%, Mali i Zi me 1.01% dhe Serbia, me 0.96%. ITU nuk publikon të dhëna për Kosovën.

Shqipëria ka gjithashtu kosto dukshëm më të larta se mesatarja botërore, e cila është 1.38% e GNI. Shqipëria pozicionohet pranë niveleve më të larta në rajon dhe sipër mesatares botërore edhe në rastin e shportës së komunikimit me përdorim të lartë (e cila përfshin 140 minuta bisedë, 20 SMS dhe 5 GB internet), duke arritur në 1.95% të GNI. Me këtë nivel, Shqipëria është vendi i dytë me kosto më të larta të paketës në fjalë në rajon, pas Maqedonisë së Veriut, me 2.1% të GNI. Pas Shqipërisë, vijojnë Bosnjë-Hercegovina, me 1.86%, Serbia, me 1.49% dhe Mali i Zi, me 1.01%. Mesatarja botërore e kostos për këtë shportë është 1.54%.

Scroll to Top