Arsimi profesional: 18% të diplomuar jashtë punësimit/studimeve

Arsimi profesional: 18% e të diplomuarve jashtë punësimit dhe studimeve, 63% të punësuar

Mbi gjashtë në dhjetë të rinj që përfunduan shkollat e arsimit profesional në vitin 2024 rezultojnë të punësuar. Megjithatë, shkalla e papunësisë është rritur krahasuar me vitin 2023, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Aftësive (AKPA), e cila gjurmon punësimin pas përfundimit të arsimit profesional.

Gjurmimi përfshiu 1,143 të diplomuar të vitit 2024, që përfaqësojnë 40.1% të totalit të të diplomuarve. Anketimi nxori në pah një prani më të madhe të meshkujve në arsimin profesional, pasi 83.2% e pjesëmarrësve ishin djem dhe vetëm 16.8% vajza.

Rezultatet tregojnë se 62.8% e të diplomuarve të vitit 2024 ishin të punësuar. Ky nivel është më i ulët se 67.6% i regjistruar për të diplomuarit e vitit 2023, por dukshëm më i lartë se 40.1% për të diplomuarit e vitit 2020.

Nga të diplomuarit e vitit 2024, rreth 46% ishin të punësuar, 6% të vetëpunësuar, ndërsa 10.2% punonin dhe studionin ose ndiqnin një trajnim në të njëjtën kohë. Një pjesë tjetër, rreth 18.7%, rezultonte të ishte vetëm në studime ose në trajnime të mëtejshme.

Pesha e të rinjve që nuk janë as në punë, as në arsim dhe as në trajnim, të njohur si kategoria NEET, u rrit në 18.5% për të diplomuarit e vitit 2024, krahasuar me 17% për të diplomuarit e vitit 2023. Kjo tregon se pothuajse një në pesë të rinj që përfundojnë arsimin profesional mbetet jashtë tregut të punës dhe sistemit arsimor.

AKPA e lidh rënien e lehtë të punësimit gjatë vitit të fundit me rritjen e numrit të të rinjve që kanë zgjedhur të vazhdojnë studimet ose trajnime të tjera pas përfundimit të shkollës profesionale.

Në total, 81.5% e të diplomuarve të arsimit profesional ishin ose të punësuar, ose në vijim të studimeve dhe trajnimeve. Ky tregues mbetet më i ulët se 83.1% për brezin e diplomuar në vitin 2023.

Të dhënat tregojnë një ulje të papunësisë mes të diplomuarve të arsimit profesional. Vetëm 6.1% e të diplomuarve të vitit 2024 ishin pa punë dhe në kërkim të një vendi pune.

Rezultate të ngjashme janë evidentuar edhe për personat që kanë përfunduar kurse pranë Qendrave të Formimit Profesional. Sipas AKPA-së, 63.5% e të anketuarve deklaruan se ishin të punësuar pas përfundimit të kursit.

Rezultatet sugjerojnë se arsimi dhe formimi profesional po sigurojnë një lidhje më të drejtpërdrejtë me tregun e punës. Megjithatë, pjesëmarrja e ulët e vajzave dhe fakti që rreth 19% e të diplomuarve mbeten jashtë punësimit, arsimit dhe trajnimit tregojnë se kalimi nga shkolla në punë vijon të ketë ende boshllëqe.

Burimi: AKPA

Scroll to Top