Kompensimi i naftës për transportin, Tatimet: Aplikuan 26 operatorë, afati deri më 1 gusht
Deri më tani, 26 operatorë të transportit publik, të cilët operojnë me linja qytetase, ndërqytetëse dhe rrethqytetëse, kanë aplikuar për skemën e kompensimit të naftës. Të dhënat rreth aplikimeve për periudhën 1 Qershor deri më 9 Korrik janë bërë publike nga administrata tatimore.
Sipas skemës së miratuar nga qeveria, për shkak të rritjes së çmimit të naftës gjatë periudhës së luftës në Iran, operatorët do të përfitojnë një subvencion prej 50 lekë për litër. Kompensimi do të llogaritet mbi shumën e karburantit të konsumuar për periudhën mars, prill, maj të vitit 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën shoqëri.
Kërkesat dhe dokumentacioni përkatës nga operatorët, me qëllim përfitimin e kompensimit, do të dorëzohen çdo muaj pranë administratës tatimore. Afati i fundit për pranimin e kërkesave është data 1 Gusht 2026.
Subjektet kërkuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore dokumentacionin si më poshtë:
- a) Kërkesën, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
- b) Kopjen e licencës përkatëse, të vlefshme për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;
- c) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues, të pajisur me NIUS;
- ç) Emrin e bankës, ku subjekti përfitues ka llogarinë rrjedhëse bankare;
- d) IBAN-in e llogarisë bankare, jo më shumë se 28 karaktere dhe në monedhën lekë;
- dh) Për shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të viteve 2025 dhe 2026;
- e) Për shoqëritë, që përveç aktivitetit të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të viteve 2025 e 2026, duhet të paraqesin edhe:
- i. vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;
- ii. kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë muajve mars, prill, maj të viteve 2025 e 2026, të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, sipas targave të mjeteve.
