Banka Botërore: Shqipëria duhet të ribalancojë fondet e shëndetësisë nga spitalet drejt parandalimit
Shqipëria ka nevojë jo vetëm për më shumë fonde në sektorin e shëndetësisë, por edhe për një ndryshim rrënjësor në mënyrën e alokimit të tyre, sipas një raporti të ri të Bankës Botërore. Dokumenti argumenton se struktura aktuale e shpenzimeve kufizon efikasitetin e sistemit shëndetësor dhe aftësinë e tij për t’iu përgjigjur sfidave afatgjata.
Institucioni vlerëson se, ndërsa Shqipëria ka bërë përparim në treguesit shëndetësorë dhe ka zgjeruar mbulimin publik, financimi vazhdon të mbështesë kryesisht kujdesin spitalor, në dëm të shërbimeve parandaluese dhe kujdesit parësor.
Sipas raportit, në vitin 2023 shpenzimet publike për shëndetësinë arritën në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithëse ky është një rritje krahasuar me një dekadë më parë, niveli i shpenzimeve mbetet ndër më të ulëtit në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, Banka Botërore thekson se kufizimet financiare nuk janë shpjegimi i vetëm për dobësitë e sistemit.
Raporti nxjerr në pah se rreth 70% e shpenzimeve publike aktualisht shkojnë për financimin e spitaleve, ndërsa vetëm rreth 14% i dedikohen kujdesit shëndetësor parësor, edhe pas marrjes në konsideratë të të gjitha burimeve të financimit. Kjo strukturë e shpenzimeve përbën një sfidë të vjetër, pasi kufizon investimet në parandalim dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike, si dhe pengon ofrimin e kujdesit më efektiv dhe me kosto më të ulët.
Banka Botërore vë në dukje se, pavarësisht se financimi për kujdesin parësor është më se dyfishuar gjatë dekadës së fundit, pesha e tij në buxhetin total vazhdon të jetë e ulët në krahasim me shpenzimet për spitalet.
Raporti sugjeron që reformat të mos përqendrohen vetëm te rritja e fondeve, por edhe te mënyra e shpërndarjes së tyre. Një nga katër prioritetet kryesore të rekomanduara është ribalancimi i shpenzimeve publike drejt shërbimeve me ndikim më të lartë, veçanërisht kujdesit parësor dhe atij parandalues.
Dokumenti rekomandon kthimin e kujdesit parësor në një rol më qendror për menaxhimin e sëmundjeve kronike, duke synuar uljen e shtrimeve të shmangshme në spitale dhe përmirësimin e efikasitetit të përdorimit të fondeve publike.
Në kapitullin e rekomandimeve, Banka Botërore propozon që Shqipëria të synojë që të paktën 25% e shpenzimeve publike për shëndetësinë të drejtohen drejt kujdesit parësor. Ky objektiv duhet të shoqërohet me mekanizma më të avancuar financimi, pagesa të bazuara në kapitim dhe stimuj për performancën.
Raporti gjithashtu rekomandon kontraktim selektiv me ofrues privatë, aty ku konsiderohet e përshtatshme, dhe përmirësim të aksesit në barnat ambulatore.
Konkluzioni kryesor i raportit është se sfida më e madhe për sistemin shëndetësor shqiptar nuk është vetëm mobilizimi i më shumë burimeve financiare, por përdorimi i tyre në mënyrë që të rrisë efikasitetin, barazinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit.
