Shqipëria dhe Italia forcojnë bashkëpunimin doganor përmes shkëmbimit të informacionit
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Doganore Shqiptare, Besmir Beja, zhvilloi një vizitë zyrtare në Agjencinë Italiane të Doganave dhe Monopoleve. Ai u prit nga Drejtori i Përgjithshëm, Roberto Alesse.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e partneritetit të konsoliduar mes dy administratave, i cili është ndërtuar mbi më shumë se 25 vite bashkëpunim të suksesshëm.
Në kuadër të kësaj vizite, Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Doganore Shqiptare zhvilloi gjithashtu takime me drejtues të lartë të Agjencisë Italiane të Doganave dhe Monopoleve, si dhe me përfaqësues të Guardia di Finanza.
Agjencia Italiane e Doganave dhe Monopoleve ka luajtur një rol kyç si partner në procesin e modernizimit të Administratës Doganore Shqiptare. Ajo ka ofruar asistencë teknike, ekspertizë, trajnime dhe mbështetje në zbatimin e reformave thelbësore. Gjithashtu, ka kontribuar në përafrimin e legjislacionit dhe procedurave doganore shqiptare me standardet e Bashkimit Europian.
Gjatë takimeve, palët diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit në fusha prioritare, duke përfshirë:
- Modernizimi i sistemeve doganore.
- Shkëmbimi elektronik i të dhënave.
- Menaxhimi i riskut.
- Përdorimi i inteligjencës artificiale në proceset doganore.
- Zbatimi i sistemeve të reja europiane.
Qëllimi kryesor i këtyre përpjekjeve është rritja e efikasitetit, sigurisë dhe lehtësimi i proceseve tregtare mes dy vendeve.
