Ministri Malaj i bën thirrje fermerëve të aplikojnë për kompensimin prej 10% të TVSH-së
Ministri i Financave, Petrit Malaj, inspektoi nga afër zbatimin e skemës së re të kompensimit prej 10% të TVSH-së për fermerët që shesin produkte bujqësore dhe blegtorale me faturë të rregullt. Ky inspektim u zhvillua në Lushnjë dhe Fier.
Skema, e cila ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026, synon të ofrojë mbështetje financiare për fermerët, të nxisë formalizimin e sektorit dhe të thjeshtojë procedurat e aplikimit.
Ministri Malaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, vizitoi një serrë familjare në Krutje të Lushnjës, ku punonjësit e Administratës Tatimore asistuan fermerët në procesin e aplikimit për skemën. Ferma, e cila kultivon rreth 3 hektarë me domate, pritet të përfitojë rreth 900 mijë lekë nga ky kompensim.
Ministri Malaj u bëri thirrje të gjithë fermerëve të aplikojnë për të përfituar nga kompensimi, duke theksuar se kjo masë mbështet një sektor që qeveria e konsideron prioritar për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.
“Duke filluar nga data 1 korrik, administrata tatimore ka filluar me kompensimin në masën 10% të TVSH-së për të gjitha produktet bujqësore ose blegtorale që shiten me fatura të rregullta tek pikat e grumbullimit apo të përpunimit. Kjo është në linjë me politikat e qeverisë për të mbështetur bujqësinë si një sektor prioritar”, deklaroi ministri.
Në Fier, gjatë një takimi me fermerët në Zyrën e Shërbimit të Tatimpaguesve, u prezantuan procedurat e aplikimit. Procesi përfshin pesë hapa dhe realizohet përmes sistemit elektronik eFiling. Sipas ministrit Malaj, procesi është digjitalizuar për të eliminuar nevojën e paraqitjes fizike të fermerëve në zyrat tatimore.