Çmimet e larta, Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e produkteve të domosdoshme
Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se, pas marrjes së ankesave nga qytetarët dhe shqetësimit të shprehur nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ka filluar një proces monitorimi për tregun e shitjes me pakicë të produkteve të domosdoshme (shportës). Ky monitorim ka për qëllim analizimin e nivelit të çmimeve për produktet e konsumit të përditshëm.
Monitorimi do të shtrihet në supermarketet kryesore që operojnë në vend. Objektivi kryesor është të krijohet një pasqyrë e plotë mbi zhvillimet aktuale të tregut. Për këtë qëllim, do të analizohen të dhënat lidhur me shitjet, strukturën e konsumit dhe ecurinë e çmimeve, duke mbuluar periudhën nga 1 Janar 2025 deri në qershor 2026.
Në kuadër të këtij procesi, Autoriteti u ka kërkuar bizneseve të paraqesin informacion të detajuar mbi:
- Shitjet totale për vitin 2025.
- Shitjet për periudhën janar–qershor 2026.
- Listën e 30 produkteve që përbëjnë shumicën e shitjeve të tyre. Këto produkte do t’i nënshtrohen një analize të plotë krahasuese për sjelljen e tregut.
Qëllimi i këtij monitorimi është të vlerësohet si funksionon konkurrenca në këtë sektor, i cili ka një rëndësi të veçantë për ekonominë familjare. Gjithashtu, synohet të identifikohen prirjet e tregut dhe çdo element që mund të kërkojë ndërhyrjen e Autoritetit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e konkurrencës.
Autoriteti i Konkurrencës konfirmon angazhimin e tij për të garantuar tregje të hapura, konkurruese dhe transparente, duke mbrojtur kështu interesin publik dhe mirëqenien e konsumatorëve.
