ARRSH alokoi 4.8 milionë euro për sinjalistikë dhe siguri në akset kombëtare.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur së fundmi tre procedura prokurimi me një vlerë të përbashkët rreth 474.7 milionë lekë, ose afërsisht 4.8 milionë euro. Këto fonde do të përdoren për përmirësimin e sinjalistikës dhe pajisjeve të sigurisë rrugore në rajonet Veriore, Jugore dhe Qendër-Lindje.
Procedurat synojnë përmirësimin e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, instalimin ose zëvendësimin e barrierave mbrojtëse, ndriçimin e kryqëzimeve dhe riparimin e fugave të urave në disa prej akseve kryesore të rrjetit kombëtar.
Fondi më i madh, prej 187.46 milionë lekësh, është parashikuar për Rajonin Jugor (Loti 3). Një vlerë e ngjashme, 187.44 milionë lekë, është caktuar për Rajonin Verior (Loti 1), ndërsa tenderi për Rajonin Qendër-Lindje (Loti 4) ka një fond limit prej 99.84 milionë lekësh.
Akset janë përzgjedhur bazuar në inspektime në terren, vlerësimin e fluksit të trafikut, rëndësinë në rrjet, lidhjet me pikat kufitare dhe nevojën për ndërhyrje në elementet ekzistuese të sigurisë.
Akset në Veri:
- Bypass-i i Shkodrës
- Aksi Vau i Dejës–Pukë–Kthesa e Hadrojit
- Segmenti Kthesa e Hadrojit–Fushë-Arrëz–Kalimash
- Rrugët Klos–Qafë Buall
- Ura e Cerenecit–Maqellarë
Gjatësia e këtyre segmenteve varion nga 8.16 km (Bypass-i i Shkodrës) deri në 62.7 km (Kthesa e Hadrojit–Fushë-Arrëz–Kalimash). Loti verior përfshin gjithashtu ndriçimin e kryqëzimeve të Komanit (segmenti Shkodër–Pukë) dhe Aliaj (aksi Shkodër–Hani i Hotit). Riparime të fugave të urave janë planifikuar në segmentet Milot–Lezhë, Lezhë–Shkodër, Shkodër–Hani i Hotit dhe Shkodër–Velipojë.
Akset në Jug:
- Autostrada Mbrostar–Levan (A2), me gjatësi 22.3 km
- Aksi Mallakastër–Tepelenë–Dogana Kakavijë (SH4), me gjatësi 85.8 km
Parashikohet ndriçim në kryqëzimet e rrezikshme përgjatë segmentit Mallakastër–Dogana Kakavijë, si dhe riparimi i fugave të urave në aksin Vlorë–Levan. Segmenti Mbrostar–Levan është një rrugë interurbane kryesore me dy korsi për çdo drejtim dhe rol lidhës për zonat me aktivitet ekonomik dhe qarkullimin drejt Tiranës.
Akset në Qendër-Lindje:
- Segmentet Urakë–Golik i Poshtëm
- Unaza Librazhd–Zgosht
- Drizë–Kanioni i Holtës
- Kryqëzimi i Podgories–Kryqëzimi i Liqenasit
- Kryqëzimi Libonik–Ura në Maliq
- Kryqëzimi i Gështenjasit në aksin Pogradec–Korçë
Ndriçim është planifikuar në një seri kryqëzimesh, duke përfshirë Urakë–Golik, Podgorie–Liqenas, Boboshticë–Qatrom, Gështenjas, Qafë Plloçë, Korçë–Voskop, Leminot dhe Unaza e Ersekës. Dokumenti përfshin gjithashtu riparimin e fugave të urës në Çërravë, Korçë.
Raportet teknike evidentojnë si problematika kryesore mungesën e retroreflektimit gjatë natës, dëmtimet, vandalizmin, shkatërrimin dhe vjetërsinë e sinjaleve rrugore. Ndërhyrjet do të përfshijnë jo vetëm rifreskimin e vijëzimeve dhe tabelave ekzistuese, por edhe shtimin e elementeve që mungojnë, zëvendësimin e pajisjeve të dëmtuara dhe vendosjen e sistemeve të reja të kufizimit rrugor. Këto sisteme përfshijnë barriera prej çeliku dhe betoni, amortizatorë goditjeje, terminale, barriera të lëvizshme dhe parmakë metalikë për këmbësorët.
