Investimet e Huaja në Ballkan: Më Pak Vende Pune për Kapital

Investimet e huaja në Rajon po krijojnë më pak vende pune për kapitalin e investuar

Investimet e huaja direkte në Ballkanin Perëndimor po bëhen gjithnjë e më intensive në kapital. Kjo do të thotë se për çdo shumë të investuar, po gjenerohen më pak vende pune se më parë.

Sipas një raporti të fundit të Bankës Botërore, investimet e huaja direkte për çdo vend pune janë rritur në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit gjatë periudhës 2021–2025, krahasuar me vitet 2016–2020.

Ky tregues mat raportin ndërmjet vlerës së investimit dhe numrit të vendeve të punës që krijohen. Rritja e tij sinjalizon se projektet e reja kërkojnë më shumë kapital për çdo vend pune të hapur. Kjo tregon një zhvendosje drejt investimeve më të mëdha, më të kushtueshme dhe më pak intensive në punësim.

Pas pandemisë, shuma e investuar për një vend pune shënoi rritjen më të fortë në Shqipëri, me mbi 300% krahasuar me periudhën 2016-2020. Serbia u rendit e dyta, me rreth 190% rritje. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut shënuan rritje më të moderuara, rreth 80–90%. Në Bosnjë-Hercegovinë, shpenzimi kapital për vend pune mbeti pothuajse i pandryshuar, duke treguar se struktura e projekteve të investimeve nuk ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me periudhën e mëparshme. Kosova paraqiti një ecuri të ndryshme, pasi në periudhën 2021–2025 investimet e huaja për një vend pune u ngadalësuan.

Madhësia e projekteve të investimeve u rrit në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërmjet viteve 2010 dhe 2025, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Rritja u bë më e dukshme në Shqipëri pas vitit 2020, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë kishte nisur që prej vitit 2018.

Në vlerë absolute, projektet më të mëdha të investimeve u regjistruan në Mal të Zi, e ndjekur nga Serbia. Kjo prirje tregon se investimet e huaja po orientohen më shumë drejt projekteve që kërkojnë shuma të mëdha për ndërtesa, pajisje, teknologji dhe infrastrukturë, por që nuk po krijojnë një numër të lartë vendesh pune. Si rrjedhojë, kapitali i investuar po rritet më shpejt se punësimi i gjeneruar prej tij.

Rritja e shpenzimeve kapitale për vend pune mund të ketë edhe efekte pozitive, nëse lidhet me teknologji më të avancuar, automatizim dhe rritje të produktivitetit. Megjithatë, në rastin e vendeve të Ballkanit, ky tregues nuk provon se projektet janë më produktive apo se po krijojnë vende pune më cilësore. Investimet në sektorin e energjisë, sidomos parqet fotovoltaike, prodhimi i energjisë apo pasuritë e paluajtshme, gjenerojnë kapital por jo punësim.

Scroll to Top