Probleme me librat; Tatimet: IT po punon ta zgjidhë, si të deklaroni TVSH, nuk ka gjoba
Bizneset kanë hasur gjatë ditës së sotme probleme me librat e shitjes dhe të blerjes, të cilat nuk janë shfaqur ende në sistemin e-filing. Bizneset pohojnë se librat e shitjes dhe të blerjes duhet të ishin publikuar që dje, duke mundësuar kështu ndryshime për fatura me ose pa TVSH. Pas përditësimit të librave, do të plotësohej dhe deklarata e TVSH-së dhe sot shumica e subjekteve do të kryenin pagesat.
Të pyetur nga Monitor, burime nga Drejtoria e Tatimeve sqaruan se ka pasur një problematikë teknike dhe departamenti i teknologjisë së informacionit po punon për zgjidhjen e saj. Kjo është hera e parë që ndodh një vonesë e tillë.
Ndërsa deklarimi i librave të shitblerjeve është pa gjoba, bizneset shprehin shqetësim pasi data 14 është afati i fundit për deklarimin e TVSH-së për muajin e kaluar, një proces i varur nga deklarimi i librave të shitblerjeve. Mosdeklarimi në kohë i TVSH-së sjell një gjobë prej 10 mijë lekësh.
Megjithatë, tatimet sqaruan se deklarimi i TVSH-së mund të bëhet bazuar në faturat reale të shitjeve dhe blerjeve që bizneset kanë mbajtur në sistemin e tyre gjatë muajit, me kusht që të ketë fatura nga procesi i fiskalizimit. Nëse deklarimi kryhet mbi bazën e faturave reale të marra dhe të lëshuara, nuk do të ketë vend për gjoba.
