Debatet e PD-së: 3 deputetë kundër bojkotit të Kuvendit

Debate brenda Grupit Parlamentar të PD-së për bojkotimin e Kuvendit, 3 deputetë kërkuan pjesëmarrjen në seancë

Publikuar më 14.07.2026 nga shekulli_admin

Përveç ish deputetit demokrat Ervin Salianji, i cili mbajti një qëndrim publik kundër vendimit të PD-së për të mos marrë pjesë në seancën e djeshme në Kuvend, edhe ligjvënës aktualë demokratë kanë shprehur kritika.

Jorida Tabaku u shpreh përmes një mesazhi në grupin e deputetëve të PD-së se mospjesëmarrja u heq atyre platformën e vetme publike për debat, duke theksuar se kjo është provuar dhe se “pasojat dihen”. “Në çdo rast unë mendoj që mospjesëmarrja na heq të vetmen platformë publike për debat. E kemi provuar shumë herë mosshkuarjen dhe i dimë pasojat! Ne duhet të përdorim çdo hapësirë që kemi për përballje! Nesër është një nga ditët ku raportojnë një sërë institucionesh dhe ka hapësirë për të gjitha temat që janë beteja të opozitës,” ka thënë Tabaku.

Edhe Bujar Leskaj është shprehur se ky vendim për të bojkotuar seancën është i gabuar, duke pyetur se cili është kuptimi i mesazhit që opozita jep duke mos marrë pjesë në Parlament. “Për mendimin tim kjo është gabim. Sipas kësaj vendimmarrjeje, ne nuk do të flasim për KQZ (votimet e manipuluara në diasporë 2025), ILD (mbrojtësja e korrupsionit në gjyqësor), AMF, BQ, INSTAT, si edhe për kryefjalën mbështetjen e protestës qytetare?!? Cili është kuptimi, ideja, mesazhi,” thotë Leskaj.

Kritike është shprehur gjithashtu edhe Ina Zhupa, e cila ka shkruar: “Në mbledhjen e kaluar të gjithë që diskutuam ishim kundër mosshkuarjes në seancë, po atë ditë vajti edhe vonë dhe s’kishte zgjidhje tjetër për atë seancë. Me idenë e ligjeve tona që nuk futen (si këto 13 vjet) nuk shkon se nesër s’ka ligje fare rendi i ditës. Është seancë për çështje të zgjedhësve dhe rezoluta për institucionet siç thotë Bujari me rëndësi për denoncime dhe qëndrime. Kështu i bie në shtator në seancë dhe s’di çfarë të mirë na sjell si opozitë parlamentare!!! Edhe në dijeninë time janë edhe dy komisionet që u mbaron afati, zgjedhore dhe territoriale, që edhe nëse zgjaten dhe nëse mbyllen do të jetë vendimmarrje e seancës plenare.”

Scroll to Top