Krim urrejtjeje në SHBA: Burri sulmoi me thikë një mysliman pasi e pyeti për fenë e tij
Një burrë 48-vjeçar është arrestuar në shtetin e Utah, SHBA, pasi dyshohet se sulmoi me thikë një mysliman në një qendër tregtare. I arrestuari, Peter Michael Larsen, deklaroi para policisë se e kishte zgjedhur viktimën për shkak të fesë së saj. Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, Larsen u tha hetuesve se kishte “ndërmend të vriste myslimanë” dhe se e kishte shënjestruar viktimën me qëllim që ta vriste për shkak të besimit të tij fetar.
Policia e konsideron Larsen një rrezik të lartë për publikun, duke përmendur prirjet e tij të dhunshme dhe bindjet ekstremiste.
Ngjarja ndodhi të hënën në qendrën tregtare Valley Fair Mall, në West Valley City të Utah. Sipas autoriteteve, viktima, e cila punonte në një kioskë brenda qendrës tregtare, u godit disa herë me thikë dhe u gjet me plagë të shumta në trup, duke pasur humbur shumë gjak.
Sulmuesi u neutralizua nga kalimtarët, të cilët e rrëzuan në tokë dhe e mbajtën deri në mbërritjen e forcave të rendit. Sipas Imam Shuaib Dean, drejtues i Qendrës Islamike të Utah, sulmuesi fillimisht iu afrua viktimës, e pyeti për emrin dhe fenë e tij, më pas kërkoi një shishe ujë. Në momentin që viktima u kthye për të marrë ujin, ai nisi ta godiste me thikë.
Viktima ndodhet në gjendje kritike në spital. Një fushatë për mbledhjen e fondeve tregon se ai është goditur rreth 15 herë me thikë dhe i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.
Peter Michael Larsen mbahet në paraburgim dhe po hetohet për tentativë vrasjeje dhe përdorim të një arme të rrezikshme.
Ngjarja është dënuar nga organizatat myslimane në SHBA, përfshirë Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR), të cilat kanë ngritur shqetësimin për rritjen e incidenteve të motivuara nga urrejtja ndaj myslimanëve. Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, islamofobia në SHBA është shtuar vitet e fundit, e nxitur nga retorika anti-emigracion, ideologjitë supremaciste të bardha dhe tensionet e lidhura me luftën në Gaza.
