SHBA godet Iranin për të gjashtin natë radhazi, alarm në Kuvajt dhe Bahrein, shpërthime edhe në Katar
Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është përshkallëzuar më tej, pasi forcat amerikane ndërmorën për të gjashtën natë radhazi një seri sulmesh ajrore ndaj objektivave iraniane, kryesisht në zonat pranë Ngushticës së Hormuzit.
Sipas mediave iraniane dhe ndërkombëtare, shpërthime të fuqishme u raportuan në portin e Bandar Abbasit, ku u godit edhe një kullë telekomunikacioni, si dhe në qytetet Ahvaz, Bushehr – ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor i Iranit – dhe Shirik. Një tjetër sulm goditi aeroportin Iransar në juglindje të vendit, ndërsa dy ura në jug të Iranit u shkatërruan.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se nga sulmet amerikane humbën jetën dy persona dhe tetë të tjerë mbetën të plagosur.
Alarm në Kuvajt dhe Bahrein
Tensionet u përhapën edhe në vendet fqinje të Gjirit Persik. Ushtria e Kuvajtit njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore janë vendosur në gjendje gatishmërie për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga raketat dhe dronët. Autoritetet sqaruan se zhurmat e forta të dëgjuara në disa zona të vendit ishin rezultat i operacioneve të mbrojtjes ajrore për neutralizimin e objektivave ajrore.
Sirenat e alarmit u aktivizuan edhe në Bahrein. Ministria e Brendshme u bëri thirrje qytetarëve dhe banorëve të ruanin qetësinë dhe të drejtoheshin në vendet më të afërta të sigurta. Mediat shtetërore iraniane raportuan se ushtria e Republikës Islamike kishte shënjestruar helikopterë dhe avionë amerikanë në një bazë ajrore në Bahrein, duke e cilësuar këtë si një kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane mbi territorin iranian.
Shpërthime edhe në Katar
Shpërthime të forta u raportuan edhe në Doha, kryeqytetin e Katarit, sipas dëshmive të publikuara nga agjencitë e lajmeve. Autoritetet e Katarit dërguan fillimisht një alarm sigurie në telefonat celularë të qytetarëve, duke paralajmëruar për një kërcënim të mundshëm. Pak minuta më vonë, një njoftim i dytë zyrtar bëri të ditur se kërcënimi ishte eliminuar dhe se situata ishte rikthyer në normalitet.
Përshkallëzimi i fundit rrit ndjeshëm shqetësimet për zgjerimin e konfliktit në të gjithë rajonin e Gjirit Persik, një zonë me rëndësi strategjike për tregtinë globale të naftës dhe sigurinë ndërkombëtare.
