Celia Flores kërkon lirimin nga burgu për arsye shëndetësore

“Ka probleme me zemrën, nevojitet ndërhyrje” / Bashkëshortja e Nicolas Maduro kërkon lirimin për arsye shëndetësore

Celia Flores, bashkëshortja e Nicolas Maduro, i cili përballet me akuza për trafik droge në Shtetet e Bashkuara, ka kërkuar të lirohet për arsye shëndetësore. Ndërkohë, mbrojtja e saj kërkon që ajo të vijojë të qëndrojë jashtë burgut, nën masa të rrepta sigurie.

Flores, 69 vjeç, aktualisht ndodhet në një qendër federale paraburgimi në Brooklyn, Nju Jork. Sipas avokatit të saj, Mark Donnelly, para arrestimit në fillim të këtij viti, ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishte nevojë për trajtime afatgjata, përveç një injeksioni mujor.

Megjithatë, sipas mbrojtjes, gjatë qëndrimit në paraburgim, Flores ka shfaqur probleme serioze me zemrën. Avokati thekson se gjendja e saj kërkon kryerjen e një ekzaminimi koronar dhe, nëse është e nevojshme, një ndërhyrje kirurgjikale.

Për këtë arsye, mbrojtja ka kërkuar që Flores të largohet nga qendra e paraburgimit dhe të vendoset në një banesë të përkohshme në Shtetet e Bashkuara, duke iu nënshtruar masave kufizuese të jashtëzakonshme. Këto masa mund të përfshijnë mbikëqyrje të vazhdueshme nga roje të armatosura 24 orë në ditë, pajisje me byzylyk elektronik dhe konfiskim të pasaportës.

Nicolas Maduro dhe Celia Flores u arrestuan më 3 janar, pas një operacioni të forcave speciale amerikane në kryeqytetin e Venezuelës. Ish-presidenti venezuelian, 63 vjeç, dhe ish-zonja e parë përballen me akuza të lidhura me trafikimin e sasive të mëdha të kokainës drejt Shteteve të Bashkuara. Çifti i mohon akuzat.

Maduro ka deklaruar se e konsideron veten një “rob lufte” të Shteteve të Bashkuara, ndërsa çështja ndaj tij dhe bashkëshortes vazhdon në sistemin amerikan të drejtësisë.

Scroll to Top