Banka Botërore kërkon ndryshime në financimin e shëndetësisë, propozon pagesa spitalore sipas rezultateve
Banka Botërore (BB) rekomandon një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si financohen shërbimet shëndetësore në Shqipëri. Propozimi kryesor është që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) të kalojë nga administrimi aktual i buxheteve historike në një model të ri, ku pagesat do të lidhen drejtpërdrejt me rezultatet, cilësinë dhe performancën e ofruesve të shërbimeve shëndetësore.
Sipas një raporti të publikuar nga BB, kjo reformë konsiderohet si leve kryesore për të rritur efikasitetin e sistemit shëndetësor dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të ofruara pacientëve.
Raporti vë në dukje se FSDKSH administron rreth 67% të shpenzimeve publike për shëndetësinë, por aktualisht funksionon kryesisht si një administrator buxheti. Metoda aktuale e financimit të spitaleve publike bazohet në buxhete historike, sipas zërave të shpenzimeve, ndërsa përdorimi i metodave si kontraktimi selektiv ose pagesat e lidhura me performancën është i kufizuar. Si pasojë, financimi i spitaleve ka një lidhje të ulët me aktivitetin real ose me rezultatet e arritura.
Banka Botërore thekson se ky model aktual ofron pak stimuj për ofruesit e shërbimeve për të rritur produktivitetin, për të racionalizuar mënyrën e ofrimit të shërbimeve apo për të zhvendosur trajtimet drejt formave më kosto-efektive.
Dokumenti propozon që, paralelisht me zgjerimin e autonomisë së spitaleve publike, FSDKSH të fillojë gradualisht zbatimin e blerjes së shërbimeve të bazuar në rezultate në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.
Për kujdesin parësor, raporti sugjeron përdorimin e pagesave të bazuara në kapitacion, të cilat do të përshtaten sipas moshës dhe profileve të rrezikut të pacientëve. Këto pagesa do të shoqërohen me fonde të dedikuara për diagnostikën laboratorike dhe instrumentale, si dhe me tregues performance, aty ku është e mundur.
Për shërbimet ambulatore të specializuara, BB rekomandon që ofruesit publikë të kontraktohen në mënyrë strategjike për të garantuar ofrimin e shërbimeve të caktuara. Pagesat do të rregullohen në mënyrë të ngjashme me ato që aplikohen për partneritetet publiko-private (PPP) dhe ofruesit privatë, por duke u kufizuar me kuota dhe tavane buxhetore për të shmangur zgjerimin e panevojshëm të shërbimeve.
Në nivel spitalor, raporti propozon kontraktim selektiv dhe financim të bazuar në volum ose kritere të caktuara, në përputhje me Planin Kombëtar të Spitaleve 2023–2030. Gjithashtu rekomandohet kalimi gradual nga buxhetimi sipas zërave të shpenzimeve drejt financimit sipas rasteve ose paketave të shërbimeve, duke përdorur kombinime të ndryshme metodash pagese.
Banka Botërore argumenton se një sistem më fleksibël i blerjes së shërbimeve, i kombinuar me autonomi menaxheriale dhe financiare për ofruesit, do t’u krijonte institucioneve shëndetësore më shumë mundësi për planifikimin e personelit dhe për përdorimin e stimujve të lidhur me performancën.
Në përmbledhje, raporti e cilëson kalimin e FSDKSH nga një administrator pasiv buxheti në një blerës aktiv si një hap thelbësor për të përmirësuar performancën e sistemit shëndetësor shqiptar.
