**SHBA vazhdon kundërmasat pas vrasjes së tre ushtarëve; Trump premton goditje më të forta**
Ushtria amerikane ka njoftuar të hënën se ka përfunduar nëntë netë radhazi sulmesh ajrore kundër Iranit, duke shënjestruar infrastrukturën ushtarake dhe objektiva strategjike. Sipas një deklarate të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), operacionet kishin për qëllim qendrat e komandës ushtarake iraniane, sistemet e mbrojtjes ajrore, pikat e mbikëqyrjes bregdetare, kapacitetet detare, bazat e lëshimit të raketave dhe dronëve, si dhe rrjetet e komunikimit.
Këto sulme vijnë pas vdekjes së tre ushtarëve amerikanë: dy prej tyre humbën jetën gjatë një sulmi iranian ndaj një baze amerikane në Jordani, ndërsa një tjetër u vra në Irak të shtunën pas shpërthimit të një droni iranian të rrëzuar.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se operacionet do të vazhdojnë. “Do t’i godasim shumë fort përsëri sonte,” u tha ai gazetarëve, duke shtuar se sulmet kryhen “në nder të tre patriotëve të mëdhenj”.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare e Iranit ka njoftuar një “sulm të papritur” ndaj një qendre komande “armike” në Siri. Ndërkohë, ushtria e Kuvajtit ka raportuar se ka aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore për të interceptuar sulme iraniane. Një ditë më parë, Irani kishte pretenduar se kishte goditur dy baza amerikane në territorin e Kuvajtit. Edhe Bahreini ka raportuar aktivizimin e sirenavë të alarmit për shkak të sulmeve të mundshme iraniane.
Në arenën diplomatike, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka akuzuar Iranin se po përpiqet të përdorë Ngushticën e Hormuzit si mjet presioni ndërkombëtar. Ai i ka bërë thirrje aleatëve të SHBA-së të kontribuojnë më shumë në mbrojtjen e transportit detar ndërkombëtar.
Përshkallëzimi i luftimeve ka bllokuar sërish trafikun në Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar një rritje të çmimit të naftës Brent mbi 90 dollarë për fuçi, mes shqetësimeve për furnizimin global me energji.
