Të rinjtë duhet të mësojnë të krijojnë, jo vetëm të konsumojnë teknologji
Intervista / Flet Blerina Guga, Drejtore Ekzekutive e Junior Achievement Albania
Brezi i ri shqiptar është rritur me internetin, telefonat inteligjentë dhe rrjetet sociale. Por a mjafton kjo për t’u konsideruar një brez me aftësi të zhvilluara digjitale? Sipas Blerina Gugës, Drejtore Ekzekutive e Junior Achievement Albania, përgjigjja është jo. Aftësitë digjitale nuk maten me orët e kaluara online, por me aftësinë për të menduar në mënyrë kritike, për të krijuar vlerë përmes teknologjisë dhe për t’u përshtatur me një treg pune që po ndryshon me ritme të shpejta. Në këtë intervistë, ajo flet për nivelin e aftësive digjitale të të rinjve shqiptarë, sfidat e sistemit arsimor përballë Inteligjencës Artificiale, hendekun mes arsimit dhe kërkesave të biznesit, si dhe kompetencat që do të përcaktojnë suksesin e brezit të ardhshëm.
Kur flasim për “digital literacy”, shumë njerëz e lidhin vetëm me përdorimin e telefonit apo kompjuterit. Çfarë do të thotë realisht të jesh një qytetar me aftësi digjitale sot?
Është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse shpesh aftësitë digjitale reduktohen vetëm te përdorimi i një telefoni, kompjuteri apo aplikacioneve. Në fakt, ato janë shumë më tepër se kaq. Të jesh një qytetar me aftësi digjitale do të thotë të jesh në gjendje të komunikosh, të mësosh, të analizosh informacionin, të mendosh në mënyrë kritike dhe të përdorësh teknologjinë për të krijuar vlerë.
Nëse dikur burimi kryesor i dijes ishte libri fizik, sot kemi në dispozicion një botë të tërë mjetesh digjitale. Megjithatë, aftësia nuk qëndron vetëm te përdorimi i tyre, por te mënyra se si i shfrytëzojmë për të mësuar, për të bashkëpunuar dhe për të zgjidhur probleme. Teknologjia është thjesht një mjet. Ajo bëhet e vlefshme vetëm kur përdoret nga njerëz që dinë të mendojnë, të filtrojnë informacionin dhe ta kthejnë atë në njohuri apo zgjidhje konkrete. Prandaj, aftësitë digjitale nuk janë vetëm teknike; ato kërkojnë edhe zhvillimin e mendimit kritik, kreativitetit dhe aftësisë për të marrë vendime.
Nga përvoja e Junior Achievement Albania me mijëra të rinj, si do ta vlerësonit nivelin e aftësive digjitale në Shqipëri? Ku jemi më të fortë dhe ku kemi boshllëqet më të mëdha?
Ajo që shohim çdo ditë në programet tona është ndoshta ndryshe nga perceptimi që ekziston në publik. Shpesh krijohet ideja se të rinjtë kalojnë shumë kohë në telefon dhe kjo shihet si diçka negative. Por, kur analizon mënyrën se si ata ndërveprojnë me teknologjinë, kupton se niveli i aftësive digjitale është më i lartë nga sa mendohet. Të rinjtë shqiptarë kanë aftësi shumë të mira për të përdorur mjetet digjitale dhe nuk shohim dallime të mëdha me bashkëmoshatarët e tyre në Europë. Ata mësojnë shpejt, përshtaten lehtësisht me teknologjitë e reja dhe tregojnë interes të madh për platformat digjitale kur ato u ofrohen në mënyrën e duhur.
Sfida më e madhe nuk lidhet me përdorimin e teknologjisë, por me përzgjedhjen e informacionit dhe përdorimin e mjeteve që u sjellin më shumë vlerë. Pikërisht për këtë arsye kemi zhvilluar një platformë të mësimit online, e cila është në dispozicion të nxënësve dhe të mësuesve. Platforma nuk synon të zëvendësojë librin apo mësuesin. Përkundrazi, ajo është një mjet plotësues që i ndihmon nxënësit të mësojnë në mënyrë interaktive, të praktikojnë njohuritë dhe të zhvillojnë aftësi përmes sfidave, ushtrimeve dhe përmbajtjeve dinamike. Rezultatet kanë qenë shumë inkurajuese, pasi kemi parë angazhim të lartë të nxënësve dhe përdorim aktiv të platformës. Kjo tregon se potenciali ekziston. Detyra jonë si të rritur është t’u ofrojmë të rinjve mjetet e duhura dhe t’i orientojmë drejt përdorimit produktiv të teknologjisë.
Të rinjtë shqiptarë kalojnë shumë orë online, por a do të thotë kjo se janë automatikisht të aftë në aspektin digjital? Cili është ndryshimi mes konsumimit të teknologjisë dhe përdorimit të saj për të krijuar vlerë?
Jo domosdoshmërisht. Të kalosh shumë kohë online nuk do të thotë automatikisht se ke aftësi digjitale të zhvilluara. Ekziston një ndryshim i madh mes konsumimit pasiv të përmbajtjes dhe përdorimit të teknologjisë për të krijuar, për të mësuar apo për të zhvilluar ide të reja.
Nga përvoja jonë në Junior Achievement, shohim se të rinjtë që angazhohen në komunitete, projekte dhe nisma praktike e përdorin teknologjinë në mënyrë shumë më efektive. Ata krijojnë produkte, zhvillojnë ide biznesi, punojnë në ekipe dhe mësojnë duke eksperimentuar. Besoj se çelësi është krijimi i komuniteteve të bazuara mbi interesat e të rinjve. Kur ata bëhen pjesë e një grupi që i motivon të ndërtojnë diçka, teknologjia shndërrohet nga një mjet argëtimi në një instrument zhvillimi.
Në të njëjtën kohë, duhet të pranojmë se mënyra si mësojnë të rinjtë ka ndryshuar rrënjësisht. Metodat tradicionale të mësimdhënies nuk janë më të mjaftueshme. Ata kanë nevojë për përvoja praktike, bashkëpunim, projekte reale dhe sfida që i motivojnë të zbulojnë vetë zgjidhjet.
Inteligjenca Artificiale po ndryshon mënyrën se si mësojmë dhe punojmë. A po arrin sistemi ynë arsimor t’i përgatisë të rinjtë për këtë transformim dhe cilat aftësi duhet të zhvillojnë sot për të qenë konkurrues nesër?
Ky transformim kërkon investime të vazhdueshme dhe bashkëpunim shumë më të madh mes sistemit arsimor, institucioneve dhe biznesit. Përgatitja e brezave të rinj fillon nga infrastruktura, nga garantimi i mundësive të barabarta për çdo nxënës dhe nga mbështetja e mësuesve për të përdorur teknologjitë e reja. Mësuesit mbeten mentorët kryesorë në këtë proces.
Megjithëse vitet e fundit janë bërë investime të rëndësishme në trajnime dhe programe për zhvillimin e aftësive digjitale, ritmi i zhvillimit të teknologjisë është shumë më i shpejtë se ai i sistemit arsimor. Për këtë arsye, hendeku mes asaj që kërkon tregu i punës dhe asaj që ofron arsimi vazhdon të ekzistojë. Bizneset kanë mundësi të investojnë vazhdimisht në teknologji për të rritur produktivitetin, ndërsa sistemi arsimor publik përballet me kufizime më të mëdha financiare. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin mes institucioneve publike, sektorit privat dhe organizatave që kontribuojnë në edukim.
Në fund të fundit, nuk mjafton të pajisim shkollat me teknologji. Duhet të investojmë te njerëzit: te mësuesit, te mentorët dhe tek aftësia e tyre për t’i udhëhequr të rinjtë në një botë ku ndryshimi është i vazhdueshëm. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një brez që jo vetëm përdor teknologjinë, por është në gjendje ta shfrytëzojë atë për të krijuar vlerë dhe për të qenë konkurrues në tregun global të punës.
Bizneset po kërkojnë gjithnjë e më shumë punonjës me aftësi digjitale. Cilat janë kompetencat që kërkohen më shumë në tregun e punës dhe a po i zhvillon sistemi ynë arsimor?
Për fat të mirë, bizneset janë gjithnjë e më të gatshme të investojnë në teknologji, zgjidhje digjitale dhe automatizim, sepse e kuptojnë që këto rrisin produktivitetin, eficiencën dhe konkurrueshmërinë. Megjithatë, sistemi arsimor nuk ka gjithmonë të njëjtën mundësi për të ecur me të njëjtin ritëm. Kjo krijon hendek mes aftësive që kërkon tregu i punës dhe atyre që të rinjtë zhvillojnë gjatë arsimit formal. Pikërisht për këtë arsye vazhdojmë të shohim mospërputhje midis kërkesës së biznesit dhe profilit të të diplomuarve.
Sot, kompanitë nuk kërkojnë vetëm njohuri teknike. Ato kërkojnë njerëz që dinë të punojnë në grup, të zgjidhin probleme, të komunikojnë, të analizojnë informacionin dhe të mësojnë vazhdimisht. Aftësitë digjitale janë bërë bazë, por ato duhet të shoqërohen me fleksibilitet, kreativitet dhe mendim kritik.
Në Junior Achievement punojmë pikërisht për ta ngushtuar këtë hendek. Si pjesë e një rrjeti që operon në mbi 120 vende të botës, programet tona synojnë të plotësojnë atë që shpesh mungon në arsimin tradicional: përvojën praktike. Të rinjtë krijojnë kompani, zhvillojnë projekte, përdorin teknologjinë për të zgjidhur probleme reale dhe përballen me situata që i afrojnë me tregun e punës. Në fund të fundit, sfida nuk është vetëm të mësojmë përdorimin e teknologjisë, por të përgatisim të rinjtë për profesionet që po krijohen sot dhe për ato që ende nuk ekzistojnë.
Përveç aftësive teknike, sa të rëndësishme janë mendimi kritik, edukimi mediatik, siguria kibernetike dhe përdorimi i përgjegjshëm i Inteligjencës Artificiale në ndërtimin e një brezi digjital?
Janë thelbësore. Në fakt, do të thosha se këto janë aftësitë që do të bëjnë diferencën në vitet e ardhshme. Në Junior Achievement zhvillojmë edhe programe si Debating Economics, të cilat synojnë të kultivojnë mendimin kritik, kërkimin dhe debatin e argumentuar mbi sfidat ekonomike dhe shoqërore. Një nga temat kryesore të edicionit të kaluar ishte pikërisht përdorimi etik dhe i përgjegjshëm i Inteligjencës Artificiale.
Sot nuk mjafton të dish të përdorësh një platformë të AI-së. Është shumë më e rëndësishme të dish ta verifikosh informacionin, të kuptosh kufizimet e saj dhe të marrësh vendime të bazuara në analizë njerëzore. Madje, në nivel global po shfaqen profesione të reja që lidhen me etikën e Inteligjencës Artificiale, si specialistët që trajnojnë modelet gjuhësore dhe sigurojnë që ato të respektojnë parimet etike dhe interesin publik. Kjo tregon se, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, mendimi njerëzor mbetet elementi më i rëndësishëm. Inteligjenca Artificiale duhet të jetë një mjet në shërbim të njeriut dhe jo zëvendësim i gjykimit të tij. Prandaj, edukimi mediatik, siguria kibernetike, mendimi kritik dhe përdorimi i përgjegjshëm i AI-së nuk janë aftësi shtesë, por pjesë e pandashme e edukimit digjital.
Nëse do t’ju duhej të jepnit tre rekomandime konkrete për të ndërtuar një brez më të aftë digjitalisht në Shqipëri gjatë viteve të ardhshme, cilat do të ishin ato?
- Rekomandimi i parë do të ishte t’u japim fëmijëve më shumë hapësirë për të eksploruar dhe për të eksperimentuar. Loja është mënyra më natyrale për të mësuar dhe për të zhvilluar aftësi të reja. Ashtu siç askush nuk mëson të përdorë një mjet të ri vetëm duke e parë, edhe teknologjia kërkon provë, gabim dhe kuriozitet.
- Së dyti, duhet të investojmë më shumë te marrëdhënia njerëzore. Shpesh fokusohemi te pajisjet, aplikacionet apo platformat, por në fakt mësimi ndodh përmes ndërveprimit me mësuesit, mentorët, prindërit dhe bashkëmoshatarët. Teknologjia duhet të mbetet një mjet që e forcon këtë marrëdhënie, jo ta zëvendësojë atë.
- Së treti, duhet të kemi guximin të transformojmë sistemin arsimor. Shkolla vazhdon të funksionojë mbi modele të krijuara dekada më parë, ndërkohë që ekonomia dhe tregu i punës kanë ndryshuar rrënjësisht. Sot jetojmë në një epokë ku njohuria nuk kufizohet më nga gjeografia dhe ku një nxënës në një fshat të Shqipërisë mund të ketë akses në të njëjtat burime si bashkëmoshatari i tij në çdo vend të Europës. Për këtë arsye, duhet të nxisim të menduarit kritik, kreativitetin, vetëmësimin dhe bashkëpunimin. Për herë të parë kemi mundësinë që teknologjia të krijojë më shumë barazi në aksesin ndaj dijes. Sfida jonë është ta shfrytëzojmë këtë mundësi në mënyrën më të mirë, që të rinjtë shqiptarë të jenë të përgatitur për të konkurruar në një treg pune global.
