“`html
Bumi i Inteligjencës Artificiale dhe Gjeopolitika Riformësojnë Oqeanet e Azisë
Kabllot e reja mes qendrave të të dhënave po shmangin Kinën dhe pikat strategjike të ngushta, sipas një analize të The Economist.
“Shtrati i detit është një fushëbetejë”, tha ministri i Mbrojtjes i Australisë në fund të majit, duke iu drejtuar një publiku të mbushur me admiralë dhe gjeneralë në Singapor. Richard Marles, duke iu referuar disa kabllove nënujore që janë dëmtuar në Detin Baltik dhe rreth Tajvanit vitet e fundit, iu bashkua 16 homologëve të tij në shpalljen e planeve për të mbrojtur rrjetin global të kabllove komunikuese. Ky rrjet përbëhet nga rreth 700 kabllo, shumica e të cilave shtrihen të pambrojtura në fundin e oqeaneve.
Qeveritë dhe forcat e armatosura në Azi vetëm së fundmi kanë kuptuar rëndësinë jetike të kabllove nënujore. Ndërsa frika nga ndërhyrjet sekrete mund të jetë e stërmadhuar – duke qenë se nuk ka pasur prova përfundimtare që të tregojnë sabotim për dëmtimet e përmendura nga z. Marles – shqetësimi për cenueshmërinë e këtyre arterieve të tregtisë është i justifikuar. Kompanitë private që ndërtojnë dhe operojnë pothuajse të gjitha kabllot nënujore po ndërmarrin gjithnjë e më shumë masa për të shmangur ujërat më të kontestuara të Azisë.
Aktualisht, Azia dhe Australia janë të lidhura me Europën përmes kabllove me fibra optike, të cilat kryesisht ndjekin vijat bregdetare aziatike përpara se të kalojnë përmes Detit të Kuq. Megjithatë, kombinimi i bumit të Inteligjencës Artificiale dhe zhvillimeve gjeopolitike po ridrejton trafikun e kabllove përmes Oqeanit Indian dhe Paqësor. Kjo gjeografi e re shmang pika strategjike të ngushta si Ngushtica e Malakës dhe ujëra të kontestuara si Deti i Kinës Jugore. Një pjesë e konsiderueshme e këtij trafiku shmang plotësisht Azinë Juglindore, duke kaluar nga Lindja e Mesme dhe India drejt Australisë, e më pas përmes ishujve të Paqësorit drejt Amerikës.
Kablloja e parë që ndoqi këtë itinerar të ri u vendos në vitin 2022, duke lidhur Omanin me Australinë, me degëzime drejt bazës ushtarake anglo-amerikane në Diego Garcia dhe Ishujve Cocos. Vitin e kaluar, Google njoftoi se Christmas Island do të bëhet një qendër e një rrjeti të ri kabllor që do të lidhë Australinë me Lindjen e Mesme, duke përfshirë fibra optike që do të shtrihet nga Omani, përmes Maldiveve, deri në Christmas Island dhe më pas drejt Australisë. Edhe projekti i Metës, Project Waterworth, një rrjet global kabllor me vlerë 10 miliardë dollarë, pritet të ndjekë një itinerar të ngjashëm në Oqeanin Indian.
Ndryshimet në Financim dhe Arkitekturë
Një nga ndryshimet kryesorë që po rikonfiguron rrugët e kabllove lidhet me mënyrën e financimit të tyre. Kabllot nënujore janë projekte me kosto të lartë. Për dekada, kompanitë e mëdha kombëtare të telekomunikacionit formonin konsorciume për të shpërndarë këto kosto. Financimi dhe planifikimi i një kablloje nga dhjetëra kompani rriste kostot dhe vononte implementimin. Për më tepër, itineraret shpesh afronin drejt kontinentit aziatik, ku ndodhej shumica e klientëve.
Por, bumi i Inteligjencës Artificiale po ndryshon ekonominë dhe gjeografinë e këtij tregu. Gjatë dhjetë viteve të fundit, gjigantët e internetit kanë filluar të financojnë dhe ndërtojnë kabllo të vetme. Kjo ka thjeshtuar procesin e mbledhjes së fondeve dhe planifikimit, si edhe ka shkurtuar kohën e nevojshme për projekte të reja. Google, për shembull, ka investuar në dhjetëra kabllo, shumë prej të cilave i zotëron pa partnerë. Kompani si Meta, Google dhe Microsoft po ndërtojnë kabllo jo aq për të lidhur qendra popullsie, sa për të lidhur qendrat e tyre të të dhënave, duke e bërë këtë me ritme të shpejta.
Vlerësohet se në katër vitet e ardhshme, investimet e reja në kabllo do të arrijnë mesatarisht 4 miliardë dollarë në vit, kryesisht nga “hyperscalers” që synojnë të dominojnë garën e Inteligjencës Artificiale. Pavarësisht përparimeve në internetin satelitor, përcjellja e të dhënave përmes kabllove mbetet shumë më e lirë se transmetimi në hapësirë, duke siguruar që kabllot nënujore të vazhdojnë të bartin 99% të trafikut ndërkontinental të internetit.
Zgjerim Gjeografik dhe Shmangie e Rrezikut
Ndërsa tregu i kabllove nënujore po integrohet vertikalisht, ai po zgjerohet edhe gjeografikisht. Të çliruara nga nevoja për të kaluar pranë qendrave të populluara, anijet po vendosin kabllo përmes oqeaneve të hapura më shumë se kurrë më parë. Itineraret e reja dizenjohen për të shmangur shtratin e detit të kontrolluar nga Kina ose nga qeveri që mund të kërkojnë tarifa për vendosjen ose riparimin e kabllove në pika strategjike të ngushta, si ngushticat indoneziane.
Rreziku gjeopolitik është veçanërisht i lartë në Detin e Kinës Jugore, ku Kina pretendon sovranitet mbi shtratin e detit brenda të ashtuquajturës “vija me nëntë viza”. Sipas së drejtës ndërkombëtare, shtetet nuk duhet të ndërhyjnë në riparimin e kabllove jashtë ujërave të tyre territorialë. Megjithatë, riparimi i çdo kabloje brenda kësaj vije kërkon miratimin e autoriteteve kineze, duke krijuar pengesa të mundshme.
Kabllot që kalojnë nëpër pika strategjike si Ngushtica e Malakës përballen me rreziqe të ngjashme. Rregullat e vazhdimisht në ndryshim të vendeve bregdetare si Malajzia dhe Indonezia, të cilat synojnë përfitime ekonomike përmes përdorimit të anijeve vendase, mund të krijojnë pengesa të kushtueshme. Deklaratat e fundit nga zyrtarë të Indonezisë sugjerojnë mundësinë e masave edhe më agresive për të përfituar nga pozicioni i vendit përgjatë rrugëve detare kyçe.
Për t’i shmangur këto rreziqe, gjithnjë e më shumë trafik interneti po devijohet nga këto zona. Rrjetet e reja të Google dhe Meta kalojnë nga Lindja e Mesme, përmes Australisë, dhe më pas drejt Japonisë, Koresë së Jugut ose Shteteve të Bashkuara. Në Oqeanin Paqësor, kabllot po përdorin gjithnjë e më shumë Guam si një qendër lidhëse për aleatët e SHBA-së në Azi. Këto itinerare të reja përbëjnë një infrastrukturë gjithnjë e më të ndarë të internetit nën oqean; që nga koha e presidentit Barack Obama, nuk është miratuar asnjë kabllo e re që lidh drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara me Kinën.
“`
