Kredite me Probleme të Ulëta në Shqipëri: Përmirësim Historik

Individët janë klientët më cilësorë të sektorit bankar, kreditë me probleme ranë në 2.6%

Segmenti i individëve ka ruajtur nivelin më të ulët të kredive me probleme edhe vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 raporti i kredive me probleme në portofolin e klientëve individë ishte 2.6%, duke shënuar një rënie të mëtejshme nga 2.9% që ishte një vit më parë.

Klientët biznes vazhdojnë të kenë nivele më të larta të kredive me probleme, por gjatë vitit të kaluar ky segment shënoi një përmirësim më të ndjeshëm. Raporti i kredive me probleme për bizneset zbriti në 4.7%, nga 5.2% që kishte qenë një vit më parë.

Segmenti i individëve ka pasur historikisht një raport më të ulët të kredive me probleme krahasuar me bizneset, për shkak të ekspozimeve më të vogla dhe rrezikut më të shpërndarë të kredisë. Gjithashtu, pasi pjesa më e madhe e portofolit konsiston në kredi për blerjen e banesave, angazhimi i huamarrësve ndaj shlyerjes së detyrimeve është në përgjithësi i lartë.

Pavarësisht rritjes së shpejtë të kreditimit në segmentin për individë në vitet e fundit, cilësia e portofolit të kredisë vazhdon të përmirësohet. Megjithatë, Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me rritjen e shpejtë të huadhënies, sidomos në segmentin e pasurive të paluajtshme.

Duke filluar nga mesi i vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë nisi të aplikojë kufizime për standardet e kredidhënies së re për blerjen e banesave, me qëllim frenimin e rritjes së huasë në segmentin e individëve.

  • Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës (Loan-to-Value – LTV):
    • Në monedhën Lekë: 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë.
    • Në valutë të huaj: 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
  • Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave (Debt Service-to-Income – DSTI):
    • Në Lekë: 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë.
    • Në valutë të huaj: 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

Deri në fund të vitit të kaluar, efektet e këtyre masave ishin të dobëta, por në pjesën e parë të këtij viti kredia për blerje banesash nga individët është ngadalësuar.

Lidhur me ndarjen e kredive me probleme sipas monedhës, raporte më të ulëta vazhdojnë të regjistrohen te kredia në valutë të huaj. Treguesi i kredive me probleme në valutë vitin e kaluar pësoi një rënie me 0.6 pikë përqindje, duke arritur në 2.8%. Treguesi i kredive në Lek gjithashtu pësoi një rënie, por më të lehtë, me 0.2 pikë përqindje, duke arritur në 4.6% në fund të vitit 2025.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar raporti i përgjithshëm i kredive me probleme zbriti në 3.8%, nga 4.17% që kishte qenë një vit më parë. Kjo ishte hera e parë në afërsisht 18 vjet që raporti i kredive me probleme bie poshtë nivelit të 4%. Raporti i kredive ka arritur nivelin më të ulët që prej janarit të vitit 2008.

Scroll to Top