Uashingtoni nuk do të lejojë armë bërthamore; Trump i jep ultimatum Iranit: Afat deri nesër, përndryshe do të humbni gjithçka
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka dërguar paralajmërime të forta Iranit, duke theksuar se Teherani ka afat deri nesër në orën 08:00 për të arritur një marrëveshje, përndryshe do të përballet me pasoja të rënda.
“Ata kanë kohë deri nesër në orën 8, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Po negociojmë me mirëbesim. Pas orës 8 ata nuk do të kenë më as urat, as stacionet”, deklaroi Trump për gazetarët.
Ai gjithashtu shprehu pakënaqësinë e tij ndaj Aleancës së NATO-s, duke thënë: “Jam shumë i zhgënjyer me NATO-n”.
Duke folur për masat që mund të ndërmerren ndaj Iranit, Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara janë në një pozicion fitues dhe paralajmëroi vendosjen e tarifave lidhur me Ngushticën e Hormuzit.
“Ne jemi fitues, ata kanë humbur. Do të vendosim taksa (në Ngushticën e Hormuzit)”, u shpreh presidenti amerikan.
Trump paralajmëroi gjithashtu për një përgjigje të ashpër ushtarake, duke shtuar se nuk dëshiron ta ndërmarrë një veprim të tillë, por se mund të shkaktojë “shkatërrim total”.
“Do t’u duhen 100 vjet për të rindërtuar vendin e tyre”, deklaroi ai, duke iu referuar Iranit.
Presidenti amerikan përsëriti se Uashingtoni nuk do të lejojë që Irani të pajiset me armë bërthamore, duke e cilësuar këtë si një vijë të kuqe për administratën e tij.
