Rekord punësimi i të huajve në Shqipëri: 22,7 mijë shtetas të punësuar

Rekord punësimi i të huajve, arrin 22,7 mijë shtetas; 50% e tyre nga Filipinet, India dhe Egjipti

Shqipëria ka shënuar një rekord në punësimin e shtetasve të huaj, duke arritur mbi 22 mijë persona deri në qershor 2026. Ky numër përbën një rritje të ndjeshme krahasuar me 18 mijë shtetas të huaj të punësuar deri në dhjetor 2025.

Sipas të dhënave nga Regjistri Elektronik për të Huajt (FER), të ofruara nga Policia e Shtetit për median Monitor, numri total i të huajve të punësuar në vend ishte 22,693 shtetas deri më 30 qershor 2026. Të ndarë sipas kategorive, 20,332 shtetas të huaj kanë pajisur Leje Unike si punëmarrës, ndërsa 2,361 shtetas të huaj janë të regjistruar me Leje Unike si të vetëpunësuar.

Drejtimin e punësimit të shtetasve të huaj nga pozicioni i punëmarrësit e kryesojnë vendet si Filipinet, India dhe Egjipti. Këto tre vende kanë marrë së bashku 10,258 Leje Unike për punëmarrës, duke zënë rreth 50% të totalit të të huajve të punësuar në vend.

Në detaj, numri i shtetasve nga Filipinet me leje pune arriti në 3,552 deri në qershor 2026, duke përbërë rreth 16% të të gjithë të huajve të punësuar. India renditet e dyta me 3,423 të punësuar, ose 15% të totalit. Egjipti vijon me 3,283 të punësuar.

Pas tyre, me numër më të lartë të lejeve unike për punëmarrës, renditen Turqia me 1,503 leje dhe Italia me 1,306 leje. Të dhënat tregojnë gjithashtu prani të konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 619 leje, Indonezia me 229 shtetas, dhe Kina me 212 shtetas.

Sipërmarrës të sektorit të shërbimit, sidomos në bare dhe restorante, kanë raportuar rritje të konsiderueshme në punësimin e shtetasve nga Filipinet dhe India. Shumë prej tyre punësohen në pozicione si kamarierë, pastrues apo kuzhinierë. Gjithashtu, ka pasur punësime inxhinierësh të rinj nga India në fabrikat e prodhimit. Shtetasit egjiptianë gjejnë punësim kryesisht në sektorin e transportit, blegtorisë dhe agroturizmit. Për më tepër, punësimi i shtetasve të huaj është zgjeruar edhe në familje, ku gra nga Filipinet punësohen si dado, kujdestare për të moshuarit apo për mirëmbajtjen e shtëpisë.

Italianët dhe shtetasit e Kosovës vijojnë të kryesojnë vetëpunësimin

Ndryshe nga Lejet Unike për punëmarrës, të cilat dominohen nga shtetasit e Filipineve, Indisë dhe Egjiptit, Lejet Unike për të vetëpunësuar kryesohen nga shtetasit italianë. Nga gjithsej 2,361 Leje Unike për të vetëpunësuar, 868 u përkasin shtetasve italianë, duke zënë rreth 37% të totalit.

Pas Italisë, renditet Kosova me 283 leje, e ndjekur nga Turqia me 199, Shtetet e Bashkuara me 198, Ukraina me 92, Siria me 68, Gjermania me 67 dhe Polonia me 65 leje unike për të vetëpunësuar.

Scroll to Top