Banka e Shqipërisë: Pagat do të indeksohen dhe rishikohen çdo vit

**Pagat në Bankën e Shqipërisë do të indeksohen çdo vit dhe do të rishikohen në mënyrë periodike**

Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” parashikon që pagat bazë të personelit të këtij institucioni do të indeksohen çdo vit me normën e inflacionit. Gjithashtu, sipas propozimeve të projektligjit, Këshilli Mbikëqyrës do të rishikojë periodikisht nivelet e pagave, shtesave dhe përfitimeve të tjera financiare të personelit. Ky rishikim do të marrë në konsideratë, por pa u kufizuar, zhvillimet e indeksit të çmimeve të konsumit, tregut të banesave dhe zhvillimet e pagave në sektorin financiar.

Projektligji gjithashtu përcakton se pagat, shtesat dhe përfitimet e tjera financiare të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe personelit nuk mund të ulen.

Politika për pagat dhe shpërblimin e personelit përcaktohet me propozimin e Guvernatorit dhe në mënyrë të pavarur nga legjislacioni që rregullon skemat e pagave në administratën publike, në përputhje me parimin e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë. Politikat e shpërblimit për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe personelin e Bankës së Shqipërisë duhet të garantojnë pavarësinë në ushtrimin e detyrave dhe funksioneve të tyre. Kjo përfshin marrjen në konsideratë të natyrës dhe kompleksitetit të këtyre funksioneve, nivelit të përgjegjësisë, nevojës për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregun e punës, bazuar në analiza të tregut të kryera nga këshilltarë të pavarur me reputacion të lartë, si dhe objektivin për të punësuar profesionistë me kualifikim të lartë.

Këto politika do të përfshijnë përcaktimin e strukturës së pagave, shtesave dhe përfitimeve financiare që lidhen me shëndetin, ngritjen e kompetencës profesionale, mbështetjen me kredi për strehim, si dhe krijimin dhe administrimin e fondit të pensionit.

Ligji përcakton se politikat e pagave nuk do të jenë të lidhura me fitimin e Bankës së Shqipërisë. Edhe me legjislacionin aktual, niveli i pagave në Bankën e Shqipërisë përcaktohet në mënyrë të pavarur.

Megjithëse është një institucion publik, Banka Qendrore nuk e publikon nivelin e pagave të personelit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës sipas pozicioneve dhe kritereve të tjera. Megjithatë, sipas punonjësve të institucionit, pagat në Bankën e Shqipërisë kanë qenë të pandryshuara për shumë vite, që nga koha kur banka drejtohej nga ish-Guvernatori Ardian Fullani. Në atë periudhë, Banka e Shqipërisë ofronte paga ndjeshëm më të larta krahasuar me administratën publike dhe shumicën e institucioneve të tjera shtetërore.

Ndërkohë që pagat në administratën publike dhe në sektorin privat janë rritur me ritme të shpejta, sidomos pas vitit 2022, mosrritja e pagave në Bankën Qendrore ka krijuar një hendek me tregun, ka sjellë pakënaqësi mes stafit dhe vështirësi në ruajtjen dhe rekrutimin e burimeve njerëzore cilësore. Miratimi i ligjit të ri pritet t’i japë zgjidhje kësaj situate, pavarësisht se edhe ligji aktual nuk e pengon Guvernatorin dhe Këshillin Mbikëqyrës të rishikojnë nivelin e pagave të institucionit.

Scroll to Top