“`html
Hyn në fuqi rregullorja e re: Licencat e shoqërive në ndërtim vlejnë deri në 5 vjet
Licencat e shoqërive të ndërtimit do të kenë një afat vlefshmërie deri në 5 vite, ndërsa licencat individuale do të lëshohen pa afat.
Rregullorja e re për licencimin profesional në fushën e ndërtimit ka përcaktuar afatet e vlefshmërisë së licencave për shoqëritë dhe individët që ushtrojnë veprimtari në studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve të ndërtimit.
Sipas rregullores së re, e cila është botuar në Fletoren Zyrtare me titull “Për miratimin e rregullores “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale për individë dhe persona juridikë në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe të mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”,” licencat profesionale për shoqëritë që kryejnë studim dhe projektim në ndërtim do të jenë të vlefshme për një periudhë të barabartë me afatin e kontratës me drejtuesin ose drejtuesit teknikë, por në asnjë rast jo më shumë se 5 vite.
Për subjektet e huaja, vlefshmëria e licencës do të përcaktohet sipas afatit të kontratës, kur ajo është me afat, por gjithashtu jo më shumë se 5 vite. Në rastet kur kontrata nuk ka afat të përcaktuar, licenca do të jetë e vlefshme për 5 vite.
Të njëjtat rregulla do të zbatohen edhe për licencat profesionale të shoqërive që ushtrojnë veprimtari në mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të zbatimit në ndërtim.
Ndryshe nga shoqëritë, licencat profesionale individuale do të jepen me afat të përhershëm.
Rregullorja përcakton gjithashtu se kërkesa për shtimin e kategorive në një licencë profesionale mund të paraqitet vetëm pasi të ketë kaluar një periudhë minimale prej 1 viti nga pajisja me licencë. Ky kufizim nuk vlen kur shtimi i kategorive vjen si pasojë e ndryshimit ose shtimit të drejtuesve teknikë të shoqërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në rregullore.
Aplikimi për rinovimin e licencës do të kryhet nëpërmjet portalit e-Albania.
Edhe për pajisje me shtesa në licencën individuale ekzistuese, pasi të plotësohen kufizimet dhe kushtet paraprake të specifikuara në këtë rregullore, aplikimi do të kryhet në portalin “e-Albania” dhe shoqërohet me:
- a) aplikimin në portalin unik qeveritar “eAlbania”, ku të përcaktohen kategoritë, të cilat individi kërkon t’i shtohen licencës, që disponon nga një aplikim i mëparshëm;
- b) CV-në e aplikantit, ku të pasqyrohet veprimtaria e tij e kryer nga aplikimi paraardhës;
- c) dokumentacionin teknik justifikues, për çka është përshkruar si veprimtari e kryer në CV, vërtetime nga subjekte, institucione apo organizma; projekte (ose pjesë të tyre), ku ka qenë bashkautor personi; certifikata kursi apo specializimi, që kanë lidhje me fushën, ku kërkon të licencohet.
“`
