“`html
Rama synon shkurtimin e 25 bashkive, Berisha ngre alarmin në Kuvend dhe i kthehet Ballës: Qetësohu dhe vazhdo pushimet!
TIRANË – Seanca e sotme në Kuvend u shoqërua me debate të forta rreth Reformës Territoriale. Kreu i Partisë Demokratike (PD) akuzoi socialistët se synojnë shkurtimin e 25 bashkive, duke vështirësuar kështu qasjen e qytetarëve pranë pushtetit vendor.
“Të nderuar deputetë, e vërteta është se, pavarësisht se ky parlament në mënyrë absolute nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë, Bashkimi Evropian, në procesin e integrimit, përcaktoi si dy detyra kryesore reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe reformën gjithëpërfshirëse territoriale. Të bindur se me Edi Ramën ka vetëm antireformë, por në mbështetje të kërkesave të qytetarëve të shumtë nga mbarë territori i vendit dhe të përpjekjeve tona për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, ne morëm pjesë në dy grupet e ngritura për këto reforma themelore. Me një kusht të vetëm: për reformën zgjedhore të merret ekspertiza e ODIHR, ndërsa për reformën territoriale të merret ekspertiza e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Përfaqësuesit e opozitës në këto komisione kanë dhënë një kontribut shumë të çmuar dhe mbi të gjitha kanë qenë zëdhënës të interesave të qytetarëve. Qeveria e Konfederatës Zvicerane, por edhe përfaqësuesi i BE në Tiranë, kanë treguar mbështetje të plotë dhe interes të madh për këto dy reforma.”
Berisha vijoi duke theksuar se:
- “Papritmas, Edi Rama tërhiqet de facto nga reforma territoriale dhe mbyll procesin, duke vazhduar projektin e tij të shpopullimit të plotë të mëtejshëm të Shqipërisë.
- Ka parashikuar reduktimin me 25 bashki nga Konispoli në Krumë në të gjithë territorin e vendit.
- Kjo përbën një praktikë të qartë shpopullimi.
- Ndaj unë jam këtu për t’u drejtuar qytetarëve shqiptarë: ngrihuni në këmbë për të mbrojtur interesat jetike të komuniteteve tuaja.
- Një protestë qytetare, e pashembullt në 30 vite, mblidhet çdo natë në rrugët dhe sheshet e Tiranës, bashkojuni kësaj proteste për të mbrojtur interesat më jetike të komuniteteve tuaja.”
Kreu i grupit të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, iu përgjigj me ironi duke i thënë se PD mund të vazhdojë pushimet, pasi në shtator do të vijojnë diskutimet sërish në komision për këtë çështje, teksa shtoi se Berisha dezinformon lidhur me shkrirjen e bashkive.
“Kemi vlerësuar punën, nuk pati kërkesë të dakordësuar për zgjatje afatesh dhe personi që sapo gënjeu (Sali Berisha) duhet ta dijë që në komisionin tjetër të zgjedhore, Bylykbashi dhe Gjiknuri sollën kërkesën, ndërsa komisioni nuk solli kërkesë. E para është që duhet të mësosh, procesi fillon me raportin, procesi involvon komisionin e çështjeve ligjore më pas, pasi të ketë kaluar 60 ditë. Në shtator do kemi kohë për të diskutuar, kështu që qetësohuni dhe vazhdoni pushimet, flasim prapë në shtator”, tha Balla.
Berisha iu kundërpërgjigj sërish duke deklaruar:
“E vërteta është krejt tjetër. Zoti Boçi, i cili do të flasë, ka bërë përpjekjet më maksimale direkt me Maznikun apo pengun, por edhe me përfaqësues të tjerë, të cilët janë të angazhuar të mbështesin këtë proces. E vërteta është se pati një ujdi midis tyre për të zgjatur afatin e komisionit, sikurse kushti për të marrë ekspertizën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe të Këshillit të Evropës është për ne i panegociueshëm dhe është rënë dakord që në fillim. Pra, ishte Edi Rama, i cili urdhëroi pengun e tij të veprojë krejtësisht në mënyrë të njëanshme. Projekti i diskutuar nga ju shkurton edhe të paktën 20 bashki të tjera, të shpërndara në të gjithë vendin, e them edhe njëherë nga Kruja, Fushë-Arrëzi, Mirdita, gjer në Konispol, Delvinë, Finiq, etj. Dhe meqenëse dikush citoi këtu Delvinën dhe kryetarin e saj, u them unë ju se Dhurim Alimani ishte një nga qeveritarët vendorë më të mirë që kishte Shqipëria. Ndaj dhe ata që përdorin emra duhet të maten mirë kur përmendin emrin e një qeveritari vendor shembullor siç ishte i ndjeri Dhurim Alimani.”
“`
