FSHZH alokon 1.4 milionë euro për dy parkime në Ksamil dhe një në Fushë-Studen
Një investim prej rreth 1.4 milionë euro, apo 133.5 milionë lekë, do të mundësojë shtimin e tre hapësirave të reja parkimi publik në Ksamil dhe Fushë-Studen. Ky ndërhyrje synon të rrisë kapacitetet parkimi në dy destinacione turistike me profile të ndryshme: Ksamilin, një zonë bregdetare e mbingarkuar gjatë verës, dhe Fushë-Studenin, një zonë malore e frekuentuar për natyrën dhe aventurën.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka shpallur tenderin me objektin “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 3&4: Sistemimi urban për krijimin e parkimeve të hapura publike në Ksamil, Sarandë dhe Fushë-Studen, Librazhd”. Punimet parashikohet të përfundohen brenda 18 muajve.
Pjesa më e madhe e kapacitetit të ri parkimi do të krijohet në Ksamil, ku projekti parashikon dy sheshe parkimi. Sipas planimetrive, parkimi i parë do të ketë rreth 166 vende, ndërsa i dyti rreth 119 vende, duke arritur në total afërsisht 285 vende parkimi, përfshirë vendet e rezervuara. Kjo ndërhyrje është veçanërisht e nevojshme për Ksamilin, ku gjatë muajve të verës fluksi i vizitorëve rrit ndjeshëm trafikun dhe kërkesën për parkim, duke paraqitur një sfidë kryesore për vizitorët dhe operatorët turistikë.
Në Fushë-Studen, projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe prej 1,752 metrash katrorë dhe do të ofrojë 44 vende standarde parkimi. Fushë-Studeni, pjesë e zonës së Librazhdit, po fiton popullaritet mes vizitorëve që kërkojnë turizëm natyror, aktivitete në natyrë dhe destinacione malore. Parkimi i ri synon të ofrojë një pikë të organizuar pritjeje për automjetet, duke adresuar frekuentimin e lartë të zonës, veçanërisht gjatë fundjavave dhe sezoneve turistike.
Ky tender është pjesë e programit më të gjerë të FSHZH-së për ndërtimin e nyjeve multimodale të mobilitetit dhe pajisjen me parkime publike në disa qytete dhe destinacione, si dhe lidhet me planet e qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës së parkimeve.
Më herët, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të implementojë një program kombëtar për parkime, përmes FSHZH-së, duke përfshirë parkime nëntokësore dhe struktura parkimi të integruara në ndërhyrjet arkitekturore dhe urbane.
FSHZH ka shpallur gjithashtu procedura të tjera për përmirësimin teknologjik të parkimeve publike në qytete si Vlorë, Durrës, Berat dhe Gjirokastër, me qëllim zbatimin e sistemeve automatike të menaxhimit dhe pagesës.
