Mundësi investimi: Rihapet ankandi i obligacioneve 15-vjeçare
Ministria e Financave do të zhvillojë javën e ardhshme rihapjen e ankandit për obligacionet 15-vjeçare. Investitorëve do t’u ofrohet për blerje një shumë prej 1.5 miliardë lekësh obligacione.
Ky ankand është një rihapje e atij të muajit qershor, i cili shënoi një rritje të mëtejshme të yield-it (kthimit nga investimi) për këto instrumente. Kuponi dhe yield-i uniform i pranuar u rrit lehtë në 6.22%, nga 5.75% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm të muajit prill. Yield-i i këtyre instrumenteve ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024.
Në ankandin e fundit u vërejt një rënie e kërkesës nga investitorët. Shuma totale e kërkesave ishte rreth 1.41 miliardë lekë, duke mos plotësuar shumën e shpallur për financim prej 2 miliardë lekësh.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në ankandin e zhvilluar të mërkurën, kuponi dhe yield-i uniform i pranuar u rritën lehtë në 6.22%, nga 5.75% që kishte qenë në ankandin e fundit të muajit prill. Yield-i i këtyre instrumenteve ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024. Në ankand u vërejt një rënie e kërkesës së investitorëve, ku shuma totale e kërkesave ishte rreth 1.41 miliardë lekë, duke mos plotësuar shumën e shpallur për financim prej 2 miliardë lekësh.
Yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare kanë shënuar një korrigjim në rritje duke filluar nga tremujori i dytë i vitit, pas një tendenceje në rënie të vazhdueshme për afërsisht dy vjet. Konflikti në Lindjen e Mesme dhe inflacioni kanë forcuar pritshmëritë për rritje të normave të interesit.
Sipas të dhënave nga INSTAT, në muajin qershor inflacioni arriti nivelin 3.2%, më i larti që prej fundit të vitit 2023. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, edhe në mbledhjen e fundit në fillim të këtij muaji, vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, me argumentimin se goditja e ofertës nga kriza në Lindjen e Mesme do të jetë kalimtare.
Megjithatë, rikthimi i shtrenjtimit të çmimeve të naftës gjatë muajit korrik ka krijuar premisa për rritje të mëtejshme të inflacionit në afatin e shkurtër, ndërsa një zgjidhje përfundimtare e konfliktit mes SHBA dhe Iranit nuk duket ende në horizont. Nga ana tjetër, edhe inflacioni bazë po shënon nivele të larta dhe në rritje. Në qershor, inflacioni bazë arriti në 3.54%, niveli më i lartë që prej vitit 2023.
Në këto kushte, gjasat për një rritje të afërme të normave të interesit duket se po shtohen. Kjo pritet të ushtrojë presione rritëse mbi yield-et e titujve qeveritarë, sidomos të atyre me maturim më afatgjatë. Për këtë arsye, ankandi i obligacioneve 15-vjeçare mund të jetë një alternativë e mirë për investitorët që kërkojnë të rrisin kthimet nga kursimet ose portofolet e tyre të investimeve.
Individët apo subjektet e interesuara për të investuar mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.
Shuma minimale e pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve është 300 mijë lekë. Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese, pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand.
