Ekonomia e Ballkanit: Shqipëria udhëheq ndërtimin, Serbia teknologjinë
Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor paraqesin modele të ndryshme zhvillimi. Disa vende ruajnë një bazë industriale të fortë, të tjerë mbështeten më shumë te tregtia, turizmi dhe shërbimet. Shqipëria, veçanërisht, dallohet për peshën e lartë të bujqësisë dhe, sidomos, të sektorit të ndërtimit.
Një analizë e të dhënave të Eurostat për vitin 2024 (të fundit të disponueshme) për vlerën e shtuar bruto sipas aktivitetit ekonomik, duke përjashtuar taksat dhe subvencionet neto, ilustron dallime të dukshme mes vendeve të rajonit dhe mesataren e Bashkimit Europian. Ndërsa ekonomia mesatare e BE-së është më e shpërndarë mes industrisë, shërbimeve profesionale, administratës publike, pasurive të paluajtshme dhe financave, vendet e BallkanitPerëndimor ende mbështeten në sektorë tradicionalë si bujqësia, ndërtimi, tregtia dhe industria.
Shqipëria: Dominimi i ndërtimit dhe bujqësisë
Shqipëria kryeson në Europë për peshën e sektorit të ndërtimit në ekonomi, i cili gjeneron 13.8% të vlerës së shtuar bruto. Ky nivel është më se dyfishi i mesatares së BE-së (5.5%) dhe dukshëm më i lartë se në Kosovë (rreth 10%), Maqedoninë e Veriut (7.2%), Serbi (5.9%), Bosnjë-Hercegovinë (5.6%) dhe Malin e Zi (rreth 5%). Rritja e shpejtë e ndërtimeve, e nxitur nga investimet në banesa, struktura turistike dhe zhvillimet urbane e bregdetare, ka qenë një motor kryesor i rritjes ekonomike shqiptare. Megjithatë, mbështetja e tepërt te ky sektor mund të ketë kufizime në afat të gjatë, pasi ai ofron më pak hapësirë për rritjen e produktivitetit, eksportet dhe inovacionin krahasuar me industrinë e përpunimit, teknologjinë apo shërbimet profesionale. Gjithashtu, sektori i ndërtimit është përdorur si kanal për hyrjen e parave informale, duke kontribuar në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe duke i bërë ato më pak të përballueshme për banorët.
Përveç ndërtimit, Shqipëria ka edhe peshën më të lartë të bujqësisë në rajon, duke gjeneruar rreth 17-18% të vlerës së shtuar bruto, kundrejt më pak se 2% në BE. Kjo tregon një përqendrim të lartë të ekonomisë dhe punësimit në aktivitete me produktivitet relativisht të ulët, pavarësisht se Shqipëria ka çmime ushqimore më të larta se mesatarja e BE-së.
Industria përbën vetëm rreth 12% të ekonomisë shqiptare, një nivel dukshëm më i ulët se mesatarja e BE-së dhe vendet e tjera të rajonit, ku pesha e saj varion mes 20-23%. Sektori i tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimeve ushqimore përbën më shumë se një të pestën e ekonomisë, duke reflektuar rolin në rritje të turizmit dhe konsumit.
Një tjetër dobësi është zhvillimi relativisht i ulët i ndërmjetësimit financiar. Financat dhe sigurimet zënë vetëm rreth 2% të vlerës së shtuar bruto, më pak se në Serbi (6.2%), Malin e Zi (5.7%), Bosnjë-Hercegovinë (4.4%) dhe mesataren e BE-së (4.7%). Kjo tregon jo vetëm përmasat e kufizuara të tregut financiar, por edhe varësinë nga sistemi bankar.
Në drejtim pozitiv, Shqipëria ka shënuar zhvillim në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, si dhe shërbimet administrative. Ky grup arrin 8.4% të vlerës së shtuar bruto, i dyti më i lartë në rajon pas Serbisë (9.4%) dhe afruar me mesataren e BE-së (11.8%), duke sinjalizuar një zgjerim të shërbimeve që kërkojnë njohuri dhe kualifikim.
Serbia: Modeli i orientuar drejt teknologjisë
Serbia dallohet për zhvillimin e sektorit të informacionit dhe komunikimit, i cili gjeneron rreth 10% të vlerës së shtuar bruto, më i larti në Ballkanin Perëndimor dhe dyfishi i mesatares së BE-së. Ky sektor, për Shqipërinë dhe Kosovën, është më i ulëti në rajon (2.6% dhe 2.5% respektivisht).
Rritja e teknologjisë së informacionit ka ndihmuar Serbinë të krijojë një model ekonomik të orientuar drejt eksporteve të shërbimeve me vlerë të shtuar, punësimit të kualifikuar dhe investimeve në njohuri. Ky sektor mund të zgjerohet pa investime të mëdha në tokë dhe pasuri të paluajtshme, duke pasur potencial më të lartë për rritjen e produktivitetit, pagave dhe integrimit në zinxhirët ndërkombëtarë.
Struktura ekonomike serbe është më e diversifikuar. Industria zë rreth 21.2% të vlerës së shtuar bruto, dukshëm më shumë se në Shqipëri, ndërsa ndërtimi ka një peshë më të kontrolluar (rreth 6%). Serbia ka gjithashtu një prani më të madhe të aktiviteteve financiare, të pasurive të paluajtshme dhe shërbimeve profesionale. Bujqësia, megjithëse mbetet e rëndësishme, përbën vetëm rreth 4% të ekonomisë.
Modelet e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor:
- Mali i Zi: Ekonomia më e varur nga tregtia dhe turizmi. Sektori i tregtisë, transportit, akomodimit dhe ushqimit zë rreth një të tretën e vlerës së shtuar bruto (32.6%), pesha më e lartë në rajon. Kjo varësi e ekspozon vendin ndaj goditjeve të jashtme. Mali i Zi ka peshën më të ulët industriale (rreth 10-11%) dhe ndërtimi përbën afërsisht 5% të ekonomisë.
- Kosova: Mbështetet te industria (22.8%), tregtia dhe ndërtimi (rreth 10%). Bujqësia mbetet relativisht e rëndësishme (9.3%). Informatizimi, komunikimi, financat dhe shërbimet profesionale janë më pak të zhvilluara se mesatarja rajonale dhe europiane.
- Maqedonia e Veriut: Paraqet një strukturë më të balancuar. Industria zë rreth 21%, ndërsa tregtia dhe shërbimet kanë peshë të ngjashme. Ndërtimi përbën 7.2%, bujqësia 7%, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme janë relativisht të rëndësishme (11.6%).
- Bosnjë-Hercegovina: Ruajnë një bazë industriale të fortë (rreth 21% të vlerës së shtuar bruto), veçanërisht në industrinë përpunuese dhe energjinë. Tregtia dhe shërbimet zënë afro një të katërtën e ekonomisë. Ndërtimi ka një peshë më të ulët (5.4%).
