Bypass-i i Tiranës: 31% realizim, financim për 13 km

Bypass-i i Tiranës arrin 31% realizim, pritet financimi për 13 kilometrat e mbetur

Punimet në segmentin e parë të Bypass-it të Tiranës kanë arritur në 31% realizim. Autoriteti Rrugor Shqiptar po përgatit fazat e tjera të këtij projekti 21-kilometërsh, i cili do të mundësojë lidhjen mes disa prej akseve kryesore rrugore të vendit, duke shmangur qarkullimin përmes kryeqytetit.

Sipas ministrit Enea Karkaci, Bypass-i ka një rëndësi strategjike pasi lidh Korridorin Adriatiko-Jonian me segmentet Thumanë–Kashar dhe Kashar–Lekaj. Gjithashtu, ai krijon lidhje me autostradën Tiranë–Durrës dhe atë të Elbasanit, duke eliminuar nevojën për të hyrë në Tiranë.

Aktualisht, janë në zbatim 8.2 kilometrat e parë të Bypass-it, të ndarë në dy faza. Kontrata për segmentin e parë, prej 4.2 kilometrash, është lidhur në shtatorin e vitit të kaluar. Ami Kozeli, kreu i ARRSH-së, deklaroi se pavarësisht terrenit problematik, ecuria e punimeve është pozitive, me 31% realizim fizik.

Në fazën e dytë, po kryhen punime gërmimi. ARRSH planifikon të hapë procedurat edhe për rrugët lidhëse të fshatrave me Bypass-in, si dhe për ndërlidhjen e aksit me autostradën dhe zonën e Kombinatit.

Një nga veprat kryesore të segmentit të parë është ura mbi përroin e Limuthit, e cila është pranë përfundimit. Ura ka një gjatësi prej 53 metrash dhe është projektuar për të përballuar prurje me periudhë përsëritjeje një herë në 100 vjet, për të shmangur përmbytjet.

Për pjesën e mbetur prej rreth 13 kilometrash të Bypass-it, autoritetet janë në fazën përmbyllëse të bisedimeve me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për sigurimin e financimit të nevojshëm.

Ministri Karkaci nënvizoi rëndësinë e këtij segmenti të parë prej 8 kilometrash, pasi realizon lidhjen me aksin Kashar–Lekaj. Dokumentacioni ligjor për Kashar-Lekaj është përmbyllur dhe pritet miratimi i projektit të zbatimit nga ARRSH para nisjes së punimeve.

Gjithashtu, procedura për lidhjen e Bypass-it me autostradën Tiranë–Durrës dhe me aksin e Elbasanit, deri në zonën e Bradasheshit, është përfunduar. Ka qenë bërë njoftimi i fituesit dhe pritet fillimi i punimeve, sipas Kozelit.

Scroll to Top