Qeveria krijon operator publik për bashkitë, alokohen 69 milionë euro financim
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) do të ngrejë një operator publik, i cili do të ofrojë shërbime që aktualisht janë përgjegjësi e pushtetit vendor. Për ngritjen dhe financimin e këtij operatori, qeveria i ka akorduar FSHZH-së 6.5 miliardë lekë, ose rreth 69 milionë euro, nëpërmjet ndryshimeve të fundit në aktin normativ të buxhetit të vitit 2026.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi gjatë një konference për shtyp se operatori i krijuar nga FSHZH do t’u ofrojë bashkive një gamë të gjerë shërbimesh. Këto shërbime përfshijnë menaxhimin e mbetjeve, blerjen e makinerive dhe realizimin e projekteve infrastrukturore.
Qeveria ka pranuar më parë se pushteti vendor, në shumë raste, nuk ka arritur të ofrojë shërbime publike me cilësinë e kërkuar. Kjo situatë i atribuohet mungesës së kapaciteteve teknike dhe administrative. Problemet me ofrimin e shërbimeve vendore janë evidentuar edhe pse burimet njerëzore dhe fondet për personelin në njësitë e vetëqeverisjes vendore janë rritur ndjeshëm pas reformës territoriale të vitit 2014.
Për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve, qeveria ka vendosur të krijojë pranë FSHZH-së një operator publik. Ky operator do të marrë përsipër kryerjen e disa prej funksioneve të bashkive. Krijimi i kësaj strukture mund të ngrejë pikëpyetje lidhur me ndërthurjen e kompetencave mes pushtetit qendror dhe atij vendor, pasi një pjesë e shërbimeve që pritet të ofrohen nga ky operator janë përgjegjësi të drejtpërdrejta të bashkive.
Nëpërmjet ndryshimeve të mesvitit në buxhetin e vitit 2026, Fondit Shqiptar të Zhvillimit iu akorduan 6.5 miliardë lekë financim shtesë nga buxheti i shtetit dhe 1 miliard lekë të tjera nga financimet e huaja. Sipas Ministrisë së Financave, këto fonde do të përdoren për projekte infrastrukturore, blerjen e makinerive dhe autobusëve për bashkitë, si dhe për financimin e projekteve që kanë shënuar një ritëm të lartë realizimi.
