Dogana Shqiptare harmonizohet me standardet e BE-së

Dogana fillon implementimin e sistemeve sipas kritereve të BE-së

Administrata Doganore ka nisur zbatimin e një sistemi të ri doganor, me qëllim harmonizimin e plotë me platformat e Bashkimit Europian. Ky hap bën pjesë në angazhimet e Shqipërisë në Kapitullin 29 të negociatave.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, gjatë një konference për shtyp të organizuar në Ministrinë e Financave për rezultatet e gjashtëmujorit të parë të vitit, theksoi se marrëveshja me UNCTAD parashikon ndërtimin e një sistemi të ri teknologjik. Ky sistem do të mbështesë të gjitha procedurat doganore dhe do të përdorë Inteligjencën Artificiale për analizën e riskut, klasifikimin tarifor dhe vlerësimin e vlerës doganore.

Sipas zotit Beja, moduli i parë, ai i eksporteve, pritet të vihet në funksion brenda dhjetorit të këtij viti. Pjesa më e madhe e sistemit parashikohet të implementohet gjatë vitit 2027, ndërsa përfundimi i të gjitha sistemeve është planifikuar deri në vitin 2030.

Modernizimi teknologjik përbën një nga katër pikat kryesore të Kapitullit 29, krahas përafrimit të legjislacionit, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe aderimit në Protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit. Lidhur me këtë të fundit, është bërë e ditur se kërkesa është përmbushur.

Kodi i ri Doganor është harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe është dërguar pranë shërbimeve europiane për miratim përfundimtar. Doganat synojnë që projektligji të miratohet nga Kuvendi gjatë muajit shtator. Aktet nënligjore janë miratuar, ndërsa dispozitat zbatuese do të miratohen pas hyrjes në fuqi të Kodit.

Administrata Doganore po përgatit gjithashtu një strukturë të re organizative. Sipas zotit Beja, modeli i ri ka për qëllim lehtësimin e procedurave në pikat kufitare dhe zhvendosjen e një pjese më të madhe të kontrollit në fazën pas zhdoganimit. Kontrollet “a posteriori” do të përdoren për të verifikuar saktësinë e procedurave dhe përmbushjen e detyrimeve doganore nga operatorët. Kjo qasje synon të ulë presionin në kufi dhe të forcojë kontrollin ndaj evazionit dhe shmangies së detyrimeve.

Në muajin mars, Administrata Doganore iu nënshtrua një misioni monitorues nga vendet anëtare të BE-së dhe Komisioni Europian. Misioni vlerësoi aftësinë e saj për të zbatuar legjislacionin europian dhe për të përmbushur rolin e një kufiri hyrës dhe dalës të unionit. Zoti Beja e cilësoi raportin e këtij misioni si pozitiv dhe motivues.

Scroll to Top