Të dhëna tronditëse në Francë: Burri zbulon eshtrat e pesë foshnjave në shtëpi
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Orange, në juglindje të Francës, ku autoritetet kanë gjetur eshtrat e pesë foshnjave në banesën e një çifti. Zbulimi ndodhi pak ditë pasi çifti kishte sjellë në jetë një fëmijë të shëndetshëm.
Sipas prokurorisë franceze, mbetjet u zbuluan nga partneri i gruas 32-vjeçare. Gruaja kishte lindur në shtëpi të dielën dhe më pas ishte transportuar në spital. Burri, i cili kishte mësuar me vonesë për shtatzëninë e partneres së tij, vendosi të kontrollonte apartamentin. Atje, ai gjeti mbetje që dyshonte se ishin njerëzore.
Ai njoftoi menjëherë spitalin, i cili më pas informoi autoritetet. Policia kreu një kontroll në banesë të hënën në mbrëmje, dhe mjeku ligjor konfirmoi se mbetjet dhe trupat e dekompozuar i përkisnin pesë foshnjave.
Autoritetet kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë dhe analizave laboratorike për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe identitetin e plotë të viktimave. Prokuroria ka nisur një hetim paraprak për vrasjen e të miturve nën moshën 15 vjeç. Gruaja 32-vjeçare, e cila ndodhet ende në spital, nuk është marrë ende në pyetje.
Çifti ka edhe dy fëmijë të tjerë, të moshës tetë dhe nëntë vjeç, dhe jetonte në katin e dytë të një ndërtese të vjetër në qendër të qytetit Orange. Ngjarja ka shokuar komunitetin lokal, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti.
