Siguria rrugore: Plan për uljen e kufijve të shpejtësisë dhe zgjerimin e kontrollit me kamera
Qeveria ka ndërmend të rishikojë kufijtë e shpejtësisë në rrjetin rrugor kombëtar dhe, njëkohësisht, të zgjerojë monitorimin elektronik të drejtuesve të automjeteve përmes kamerave dhe sistemeve inteligjente të lidhura me qendrën e kontrollit të trafikut.
Këto masa bëjnë pjesë në Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030 dhe në planin e saj të veprimit, të cilat janë publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare.
Dokumenti parashikon që gjatë periudhës 2027–2029 të vendosen “kamera të shpejtësisë dhe sinjalistikë tjetër inteligjente” në pika të caktuara të rrjetit rrugor. Këto pajisje do të përdoren për monitorimin e shpejtësisë dhe do të integrohen me Qendrën e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut, sipas planit.
Treguesi i përcaktuar për zbatimin e kësaj mase është numri i vendndodhjeve ku instalohen kamerat dhe sinjalistika inteligjente. Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni përgjegjës për zbatimin, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, strukturat përgjegjëse për transportin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Në të njëjtën periudhë, autoritetet do të rishikojnë edhe kufijtë ekzistues të shpejtësisë. Strategjia kërkon që këta kufij të përshtaten sipas “Qasjes së Sistemit të Sigurt”, duke marrë parasysh karakteristikat e rrugës, mbrojtjen që ofrojnë automjetet dhe aftësinë e trupit të njeriut për të përballuar dëmtimet gjatë një aksidenti.
Dokumenti parashikon që kufijtë e rinj të lidhen me nivelin e rrezikut në secilin segment. Ndërkohë, masat në zonat urbane do të përfshijnë qetësimin e trafikut dhe ndërhyrje pranë shkollave dhe zonave me lëvizje të lartë të këmbësorëve.
Plani kërkon gjithashtu monitorimin e “përqindjes së automjeteve që udhëtojnë brenda kufirit të shpejtësisë” në kushte trafiku të lirë. Ky tregues do të përdoret për të matur zbatimin e strategjisë dhe për të orientuar kontrollet policore dhe fushatat e sigurisë rrugore.
