Aeroporti i Vlorës: Pacolli apel ministrit për zhbllokim

Behgjet Pacolli i bën thirrje ministrit Karakaçi: Na lejoni ta përfundojmë aeroportin e Vlorës

Biznesmeni Behgjet Pacolli i ka bërë një apel publik ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, duke kërkuar ndërhyrjen institucionale për zhbllokimin dhe përfundimin e projektit të Aeroportit të Vlorës.

Në një postim në Facebook, Pacolli, në emër të kompanisë MABCO, deklaron se prej më shumë se nëntë muajsh i janë drejtuar ministrit me kërkesa të përsëritura për një takim, por pa marrë përgjigje.

Pacolli pretendon se në muajin mars kompania ishte gati të hynte në fazën e certifikimit dhe të avanconte drejt përfundimit të projektit, por punimet u bllokuan në rrethana që ai i konsideron të paligjshme.

“MABCO kërkon zgjidhje, jo konflikt, jo arbitrazh, por nëse nuk na lini rrugë tjetër, atëherë nuk është përgjegjësia e jonë”, shkruan Pacolli.

Ai thekson se kompania nuk kërkon privilegje, por vetëm respektimin e ligjit dhe kontratës koncesionare, duke kërkuar që t’i mundësohet përmbushja e detyrimeve dhe përfundimi i Aeroportit të Vlorës.

“Mabco kërkon vetëm ligjshmëri dhe legalitet. Mabco nuk kërkon privilegj.”

Sipas Pacollit, projekti, me një investim prej qindra milionë eurosh, ka potencial të jetë një nga projektet strategjike të infrastrukturës shqiptare, me ndikim në turizëm, ekonomi dhe zhvillimin e vendit.

Në fund të reagimit, ai i drejtohet ministrit Karakaçi me një thirrje për veprim: “Zoti Ministër, koha për veprim është tani, ju lutem!”

Pacolli shprehet se dëshira e kompanisë është që Aeroporti i Vlorës të përfundojë dhe të shndërrohet në një histori suksesi për Shqipërinë.

Letra e plotë:

I nderuar Zoti Ministër Enea Karakaçi,

Ju drejtohem publikisht dhe institucionalisht me një apel në emër të korrektësisë, ligjshmërisë dhe, mbi të gjitha, interesit të qytetarëve shqiptarë: Na lejoni ta përfundojmë projektin e Aeroportit të Vlorës.

Zoti Ministër,

Prej më shumë se nëntë muajsh ju kemi drejtuar shkresa dhe kërkesa të përsëritura për një takim me ju. Kemi ardhur personalisht dhe kemi pritur për ditë me radhë me shpresën se do të na jepej mundësia t’ju paraqisnim drejtpërdrejt problemet, pengesat dhe padrejtësitë që, sipas vlerësimit tonë, po i shkaktohen projektit nga veprimet dhe mosveprimet e institucionit që ju drejtoni.

Bëhet fjalë për një projekt koncesionar të lidhur me kompaninë tonë përmes një kontrate të nënshkruar me institucionet e shtetit shqiptar dhe për një investim me vlerë prej qindra milionë eurosh.

Në muajin mars, kompania jonë ishte e gatshme të hynte në fazën e certifikimit dhe të avanconte drejt përfundimit të projektit. Megjithatë, punimet u bllokuan në rrethana që ne i konsiderojmë të paligjshme dhe me përfshirjen e strukturave të Policisë së Shtetit. Në një moment të tillë, kur prisnim që institucioni përgjegjës të mbronte ligjshmërinë, kontratën dhe interesin publik, nuk pati ndërhyrjen institucionale që situata kërkonte.

Kompania jonë ka detyrimin ligjor dhe moral të mbrojë investimin e saj, kontratën dhe të drejtat që burojnë prej saj. Por qëllimi ynë nuk është të ndëshkojmë shtetin shqiptar dhe aq më pak qytetarët shqiptarë.

MABCO kërkon zgjidhje, jo konflikt, jo arbitrazh por nese nuk na leni rrugë tjetër, atëherë nuk është përgjegjësija e jonë. Mabco kërkon vetëm ligjshmeri dhe legalitet. Mabco nuk kërkon privilegj.

Mabco kërkon vetëm që t’i lejohet të përmbushë detyrimet e saj dhe ta çojë deri në fund projektin e Aeroportit të Vlorës, por në menyrë legale. Prandaj ju bëjmë edhe një herë thirrje që të ndërhyni institucionalisht, të garantoni respektimin e ligjit dhe të kontratës dhe të krijoni kushtet që ky projekt të përfundojë.

Aeroporti i Vlorës ka potencialin të bëhet një margaritar i infrastrukturës shqiptare, një projekt strategjik për turizmin, ekonominë dhe zhvillimin e vendit, si edhe një shembull suksesi i bashkëpunimit ndërmjet shtetit shqiptar dhe një kompanie me eksperiencë ndërkombëtare.

Historia e kompanisë sonë flet vetë: projektet që kemi ndërmarrë janë të shumta dhe janë realizuar dhe përfunduar me sukses shëmbullor. Ne dëshirojmë që edhe Aeroporti i Vlorës të jetë një histori suksesi për Shqipërinë dhe për ne të gjithë.

Zoti Ministër, koha për veprim është tani, ju lutem!

Andaj, ju bëjmë thirrje që, në emër të ligjit, përgjegjësisë institucionale dhe interesit të qytetarëve shqiptarë, të na jepni mundësinë ta përfundojmë këtë projekt.

Me respekt,

MABCO

Scroll to Top