Cilësia e Lumenjve Shqiptarë Përkeqësohet: Dy Basene në Klasën e Ujit të Keq

Lumenjtë po humbasin cilësinë, dy basene zbresin në kategorinë më të ulët të ujërave

Dy nga gjashtë basenet kryesore lumore në vend janë klasifikuar në kategorinë më të ulët të cilësisë së ujërave sipërfaqësore gjatë vitit 2025, ndërsa një tjetër ka shënuar përkeqësim krahasuar me një vit më parë. Këto janë konkluzionet e raportit “Gjendja në Mjedis 2025”, të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).

Basenet Ishëm-Erzen dhe Seman renditen në kategorinë “Gjendje e keqe”, ndërsa Shkumbini ka kaluar nga “Gjendje e mirë” në “Gjendje e moderuar”. Këto ndryshime reflektojnë ndikimin e vazhdueshëm të shkarkimeve urbane të patrajtuara, aktiviteteve industriale dhe presionit nga bujqësia.

Raporti vë në dukje se cilësia e ujërave mbetet përgjithësisht e mirë në burimet dhe rrjedhat e sipërme të lumenjve, por përkeqësohet ndjeshëm në segmentet që kalojnë pranë qendrave të banuara. Sipas AKM-së, ndikimi i shkarkimeve urbane, industriale dhe bujqësore është faktori kryesor që ul klasifikimin e shumë stacioneve të monitorimit.

Përkeqësimi më i theksuar evidentohet në basenin Ishëm-Erzen, i cili klasifikohet në Klasën V – “Gjendje e keqe”. Raporti identifikon si segmentet më problematike Lumin e Tiranës në stacionet Ura e Kamzës, Lanabregas dhe Yrshek, si edhe Lumin Ishëm dhe Erzenin në Urën e Beshirit. Në këto pika monitorimi regjistrohen vlera të larta të Nevojës Biokimike për Oksigjen (NBO5), amoniakut dhe lëndëve ushqyese, tregues që sinjalizojnë ndotje të konsiderueshme nga shkarkimet urbane të patrajtuara.

Vetë raporti thekson se “afër zonave të banuara impakti i shkarkimeve urbane të cilat derdhen drejtpërdrejt të patrajtuara sjell klasifikim me një ndotje të lartë”.

Edhe baseni i Semanit rezulton në Klasën V – “Gjendje e keqe”, duke u përkeqësuar krahasuar me vitin 2024, kur ishte klasifikuar në Klasën IV – “Gjendje e varfër”. Raporti lidh këtë rezultat kryesisht me gjendjen e lumit Gjanica në stacionin Ura e qytetit Fier, ku ndikimi i shkarkimeve urbane dhe industriale shoqërohet me nivele të larta të Nevojës Biokimike për Oksigjen, amoniakut dhe ortofosfateve, tregues të ndotjes së rënduar të ujërave.

Ndërkohë, Shkumbini shënoi përkeqësim gjatë vitit 2025, duke kaluar nga Klasa II – “Gjendje e mirë” në Klasën III – “Gjendje e moderuar”. Sipas raportit, ky ndryshim lidhet me përkeqësimin e disa treguesve të cilësisë, megjithëse pjesa më e madhe e parametrave vazhdon të mbetet brenda kufijve të lejuar.

Nga ana tjetër, Vjosa dhe Drini vijojnë të ruajnë gjendjen më të mirë mjedisore ndër basenet e monitoruara. Raporti i klasifikon të dy në Klasën II – “Gjendje e mirë”, me tregues fizikë, kimikë dhe biologjikë që mbeten brenda standardeve të përcaktuara nga Direktiva Kuadër e Bashkimit Evropian për Ujin.

Gjetjet e raportit tregojnë se ndarja mes lumenjve të ruajtur dhe atyre që kalojnë pranë zonave të urbanizuara po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Ndërsa segmentet malore vijojnë të ruajnë cilësi të mirë të ujit, presioni nga shkarkimet e patrajtuara dhe aktivitetet ekonomike po rëndon gjendjen e disa prej baseneve më të mëdha të vendit, duke i larguar ato nga objektivat e kërkuara për arritjen e një statusi të mirë ekologjik.

Scroll to Top