Irani mund të godasë duke përdorur të dhënat nga telefonat e ushtarëve, paralajmëron Pentagoni
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se Pentagoni është në gatishmëri të lartë, ndërsa ushtria amerikane po shqyrton masa të reja për të mbrojtur personelin e saj në Lindjen e Mesme. Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), Admirali Brad Cooper, u ka dërguar një paralajmërim trupave amerikane, duke theksuar se fotografitë dhe videot e shpërndara nga telefonat celularë mund të ndihmojnë Iranin të identifikojë dhe të godasë bazat ushtarake amerikane.
Në një letër drejtuar personelit ushtarak, Admirali Cooper ka shpjeguar se informacioni i publikuar në rrjetet sociale dhe raportimet në kohë reale mund t’i ofrojnë Teheranit të dhëna të çmuara për efektivitetin e sulmeve të tij. Ai ka shtuar se “Kostoja e menjëhershme e këtë informacioni mund të matet me jetën e ushtarëve amerikanë dhe civilëve në rajon,” duke u bërë thirrje trupave të rrisin masat për ruajtjen e sigurisë operacionale.
Burime të Reuters bëjnë të ditur se ushtria amerikane po vlerëson mundësinë e konfiskimit të përkohshëm të telefonave celularë për disa ushtarë, veçanërisht ata të dislokuar në Jordani, me qëllim parandalimin e rrjedhjes së informacioneve të ndjeshme.
Videoja që ngriti alarmin
Paralajmërimi vjen pas publikimit në internet të një videoje, të filmuar nga një ushtar amerikan me syze inteligjente Meta. Videoja dokumentonte momentet e panikut gjatë një sulmi iranian me raketa dhe dronë ndaj Bazës Ajrore Muwaffaq Salti në Jordani, më 17 korrik.
Sipas Admirali Cooper, pamjet e publikuara zbuluan detaje mbi vendndodhjen e strehimoreve dhe mënyrën se si lëvizën ushtarët gjatë sulmit. Ky informacion, sipas tij, mund të përdoret nga kundërshtarët për të analizuar efektivitetin e goditjeve. Ai shtoi se raportimet publike dhe videot në rrjetet sociale mund të kryejnë praktikisht falas atë që në terminologjinë ushtarake njihet si Vlerësimi i Dëmeve të Betejës (Battle Damage Assessment – BDA), duke i ndihmuar forcat iraniane të kuptojnë se cilat objektiva janë goditur.
Shqetësime për komunikimin e trupave
Një ndalim i mundshëm i telefonave celularë ka ngritur shqetësime edhe te familjarët e ushtarëve amerikanë. Shumë prej tyre mbështeten tek komunikimet e përditshme për të marrë lajme nga të afërmit e dislokuar në rajon.
Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar prej vitesh se aplikacionet në telefonat inteligjentë, përfshirë ato të fitnesit apo shërbimet e vendndodhjes, mund të përdoren nga kundërshtarët për të gjurmuar lëvizjet e personelit ushtarak. Ndërkohë, Pentagoni vijon të kufizojë publikimin e informacioneve mbi sulmet ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme, duke argumentuar se transparenca e tepërt mund të cenojë sigurinë operacionale të forcave të dislokuara në rajon.
