“`html
Të ardhurat nga puna jashtë vendit arritën në 192 milionë euro për tremujorin e parë
Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga puna jashtë vendit kanë shënuar një rritje të mëtejshme gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga puna kanë arritur vlerën prej 192 milionë eurosh, duke u rritur me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në terma neto, duke zbritur të ardhurat e shtetasve të huaj nga puna në Shqipëri, të ardhurat nga puna kanë shkuar në 181 milionë euro, duke regjistruar një rritje prej 26% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga puna kanë arritur nivelin më të lartë historik për tremujorin e parë të vitit, si në terma neto, ashtu edhe në ato bruto.
Sipas metodikës së Bilancit të Pagesave, të ardhurat nga puna jashtë vendit përfshijnë kompensimin e punonjësve, që konsiston në pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera, të fituara nga individë jorezidentë në një ekonomi për punën e kryer për rezidentët e saj. Kjo kategori përfshin punonjësit sezonalë ose ata të punësuar për periudha të shkurtra (më pak se një vit), si dhe punëtorët kufitarë, të cilët e ruajnë qendrën e interesit ekonomik në vendin e tyre të origjinës.
Në analizat e flukseve hyrëse nga jashtë, të ardhurat nga puna jashtë vendit shpesh lidhen me dërgesat e emigrantëve dhe klasifikohen si pjesë e të ardhurave totale nga remitancat.
Për 3-mujorin e parë të këtij viti, dërgesat e emigrantëve kanë pasur vlerën e 274 milionë eurove, duke u rritur me 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të ardhurat nga puna dhe remitancat së bashku kanë kontribuar me 466 milionë euro në bilancin e pagesave, një shifër 15% më e lartë krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Së bashku, të ardhurat nga puna dhe remitancat kanë mbuluar rreth 35% të deficitit tregtar të mallrave për 3-mujorin e parë të këtij viti.
Përpara rritjes së shpejtë të sektorit të turizmit, veçanërisht pas pandemisë së vitit 2020, puna ka qenë faktori kryesor mbështetës për eksportet e ekonomisë shqiptare.
Përveç të ardhurave direkte nga puna jashtë vendit, një kontribut i rëndësishëm ka dhënë historikisht edhe regjimi i përpunimit aktiv të mallrave (fasoneria).
Për 3-mujorin e parë të vitit 2026, të ardhurat nga fasoneria arritën në 181 milionë euro, duke shënuar një rënie prej 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fasoneria, në vitet e fundit, është prekur ndjeshëm nga forcimi i monedhës kombëtare (Lekut) në kursin e këmbimit valutor dhe nga rritja e kostos së punës.
Burimi: BSH
“`
