### Rama Parashtron Ambicien e tij: Mos U Çudisni nëse Shikoni Ushtarë Amerikanë me Pajisje “Made in Albania”
**TIRANË** – Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në ceremoninë e prezantimit të 40 mjeteve të para ushtarake të prodhuara në Shqipëri. Ai theksoi se në të ardhmen e afërt, industria ushtarake shqiptare mund të prodhojë pajisje dhe mjete që do të shiten edhe ushtrisë amerikane.
“Mos u çudisni kur të vijmë një ditë këtu, që të prezantojmë gjëra që do t’ia japim ushtrisë së SHBA. Përfytyroni një ushtar amerikan, që në parkun e mjeteve të tij do të kishte edhe një prodhim ‘Made in Albania’. Kjo është Shqipëria tjetër që ne kemi ndërtuar. 14 zjarrfikëse të reja po prodhohen tashmë nga TIMAK; 14 zjarrfikëse nuk i kemi mundur t’i bëjmë bashkë në 14 vite,” u shpreh kryeministri.
Gjatë prezantimit të mjeteve të para taktike të prodhuara në vend, Rama e cilësoi këtë ditë si një moment historik për industrinë ushtarake shqiptare. “Është një moment i jashtëzakonshëm pasi kemi mundësinë të vijmë, të shohim dhe të përjetojmë rezultatin e një përpjekjeje shumë të gjatë,” deklaroi ai.
Duke u kthyer pas në kohë, Rama theksoi se “historitë e tenderave, ngatërresave apo blerjeve të makinave të ndryshme” ishin pjesë e përditshmërisë së shtetit shqiptar në të gjitha institucionet dhe për të gjithë sektorët që kërkonin këtë lloj logjistike. Sot, vendi ka hyrë në një fazë krejtësisht të re.
Lidhur me kompanitë që duan të investojnë në vend, kreu i qeverisë u shpreh se ato janë “të mirëpritura, por duke pranuar shtetin shqiptar si ortak”.
“Ky është qëllimi ynë: një kompani e krijuar për të shërbyer si qendër graviteti e industrisë së mbrojtjes, me 100% aksione shtetërore, ka filluar të arkëtojë të ardhura nga këto lloj sinergjish. Të gjitha kompanitë që kanë ardhur apo do të vijnë nga vendet partnere, kanë vetëm një derë, atë të kompanisë Kayo. Së shpejti ne do të jemi sërish bashkë për zhvillime që deri dje ishin të pabesueshme,” tha Rama, duke iu referuar akuzave që qarkullojnë për investimet e huaja në Shqipëri.
Numri një i kabinetit zbuloi pjesërisht objektivin e qeverisë për këtë industri, ku vendi mund të bëhet edhe furnizues për shtetet më të mëdha në botë.
“Brenda vitit 2028, ushtria shqiptare do t’i ketë të gjitha mjetet dhe kapacitetet, nga makina më e lehtë deri te armët më të sofistikuara. Nuk do të ketë më asnjë mjet me katër rrota që t’i mungojë forcave tona, do të ketë një flotë të madhe mjetesh sipas standardeve të NATO-s për numër forcash dhe territor. Kemi marrëveshje me kolosë të industrisë ushtarake; mos u çudisni kur një ditë të vijnë përsëri këtu dhe të ekspozojnë gjëra të prodhuara këtu, të cilat do t’ia japin edhe ushtrisë amerikane. Prodhim ‘Made in Albania’! Kush do ta kishte përfytyruar?! Kjo është Shqipëria tjetër që kemi ndërtuar dhe që do të fillojë të sjellë të tjera rendimente dhe produkte. 14 zjarrfikëse të reja po prodhohen tashmë; ne nuk i kemi bërë dot bashkë në 14 vjet, kur e morëm Shqipërinë pa zjarrfikëse,” nënvizoi ai.
Rama njoftoi gjithashtu disa risi në këtë fushë:
* “Baza e logjistikës do të jetë një kompani e ushtrisë shqiptare në shërbim të të gjitha bashkive.”
* “Kompani e infrastrukturës, që do të bëjë mirëmbajtjen, do të ndërhyjë për infrastrukturën e kanaleve, rrugëve rurale e me radhë. Do të jetë në funksion të emergjencave dhe vazhdimisht në funksion të pushtetit vendor.”
* “Ministria e Mbrojtjes do të hapet edhe për turizmin, për të krijuar atë që kanë të gjitha ushtritë e NATO-s, kur vënë në dispozicion asetet e tyre për turizmin.”
* “Ka ardhur koha që shteti të jetë partner, kapacitetet të vihen në dispozicion jo vetëm për shërbim, por edhe për fitim, për të marrë të ardhura që do të riinvestohen në funksion të qytetarëve.”
