Irani lançon portal për “ankesa” kundër disidentëve jashtë vendit

Teherani krijon një portal online për “ankesa” kundër kritikëve të regjimit jashtë vendit.

Autoritetet iraniane kanë lançuar një platformë të re online për raportimin e individëve që jetojnë jashtë vendit dhe që konsiderohen nga regjimi si kundërshtarë ose “tradhtarë”. Portali, i quajtur “Alaj” (që në shqip do të thotë “Shërim”), sipas autoriteteve iraniane, është krijuar si pjesë e përpjekjeve për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

Media shtetërore e paraqet platformën si një mjet për identifikimin e personave që, sipas Teheranit, veprojnë kundër interesave të Iranit. Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars ka paralajmëruar se personat e konsideruar “tradhtarë” mund të përballen me pasoja ligjore.

Përmes portalit dhe kanaleve të lidhura me të në rrjetet sociale, qytetarët mund të dërgojnë informacione dhe ankesa për iranianë që jetojnë jashtë vendit dhe që dyshohet se mbështesin qëndrime kundër regjimit. Autoritetet pretendojnë se të dhënat e personave që bëjnë raportime do të ruhen në mënyrë konfidenciale.

Platforma synon veçanërisht iranianët që shprehin publikisht mbështetje për sanksionet ndërkombëtare ndaj Teheranit ose për veprime ushtarake kundër Iranit. Tensionet e krijuara nga përplasja mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit kanë shtuar vigjilencën e autoriteteve iraniane ndaj kundërshtarëve të regjimit, përfshirë ata që jetojnë jashtë vendit.

Deri tani, sipas të dhënave të publikuara në faqen e platformës, janë raportuar rreth 600 persona, ndërsa informacionet për disa iranianë që jetojnë jashtë vendit janë bërë publike në bazën e të dhënave të portalit.

Rreth 4 milionë persona me origjinë ose shtetësi iraniane jetojnë jashtë Iranit. Një pjesë e komunitetit iranian është larguar nga vendi për arsye politike, ndërsa aktiviteti i shërbimeve iraniane të inteligjencës jashtë territorit të vendit ka qenë prej kohësh një çështje shqetësuese për komunitetet e emigrantëve.

Ende nuk është e qartë se sa do të zgjerohet përdorimi i platformës “Alaj” dhe cilat masa konkrete do të ndërmerren ndaj personave të raportuar përmes saj.

Scroll to Top