Belinda Balluku paraqitet në SPAK për akuza korrupsioni

Belinda Balluku paraqitet në SPAK me avokat, qëndron rreth 20 minuta në Prokurori

TIRANË – Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka mbërritur mesditën e sotme në ambientet e SPAK, e shoqëruar nga avokati i saj, Adrian Kalija. Gjatë hyrjes në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Balluku nuk ka bërë asnjë deklaratë për median, ndërsa ka qëndruar brenda rreth 20 minuta.

SPAK ka dhënë një njoftim zyrtar në përgjigje të interesimit të mediave lidhur me thirrjen e ish-zyrtares së lartë. Sipas SPAK, Balluku është thirrur në ambientet e prokurorisë për t’u njohur me akuzën që lidhet me disa procedura prokurimi që janë aktualisht objekt hetimi. Gjithashtu, në njoftim bëhet me dije se zyrtarja është thirrur për t’u pyetur në lidhje me këto akuza dhe për t’iu komunikuar akte të tjera procedurale, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.

Gjatë paradites, para godinës së SPAK u mblodhën qytetarë dhe aktivistë, të cilët hodhën parulla kundër Belinda Ballukut.

Kujtojmë se një ditë më parë, kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi para gazetarëve se çështja e Belinda Ballukut ka prioritet dhe se hetimet ndaj saj vijojnë.

Nuk është bërë e ditur nëse SPAK do të kërkojë sërish heqjen e imunitetit të Ballukut. Paralelisht me hetimin për tenderat e unazës, prokurorët kanë gjetur një vilë në bregdet, e cila dyshohet se është përfituar në mënyrë të paligjshme gjatë kohës kur ajo drejtonte Albcontrol.

Scroll to Top